Mblidhet Shtabi i Përgjithshëm, masa pas reshjeve të dëborës

Shtabi Qendor i Emergjencave Civile është mbledhur për të analizuar situatën e rëndë të shkaktuar si rezultat i reshjeve të dëborës në disa zona të vendit. Ky shtab vendosi shtimin e automjeteve bore pastruese të Xhenjos që disponojnë Forcat e Armatosura të dislokohen në segmentin Pukë - Fushë Arrëz- Shën Mëri - Kukës. Këto automjete do të mbështesin përpjekjet e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve që ka angazhuar të gjithë parkun e saj në këto akse rrugore. Gjithashtu helikoptere të ministrisë së Mbrojtjes, ministrisë së Brendshme dhe ministrisë së Shëndetësisë do të qëndrojnë në gadishmëri për të ndërmarrë operacione kërkim - shpëtimi sipas nevojës. Sipas raportit të ministrisë së Brendëshme kanë rifilluar reshje të dëborës në disa krahina të vendit dhe është nevoja për ndërhyrje për të mbajtur të hapura akset rrugore sidomos atë Pukë - Kukës. Shtabi i emergjencave civile përbëhet nga zëvendëskryeministri Genc Pollo dhe anëtarët, ministri i Brendshëm Bujar Nishani, ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa, ministri i Ekonomisë dhe Energjitikës Genc Ruli, ministri i Punëve Publike Transportit dhe Telekomunikacionit Sokol Olldashi, ministri i Bujqësisë Jemin Gjana, ministri i Arsimit dhe Shkencës Fatos Beja, ministrja e Shëndetësisë Anila Godo, ministri i Mjedisit Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave Lufter Xhuveli, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Maksim Malaj, Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile Alfred Olli, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ahmet Prençi, Drejtori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit Ymer Balla dhe Drejtori i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes Sahit Dollapi. Reshjet e dëborës kanë shkaktuar izolimin e disa komunave të vendit si dhe kanë krijuar vështirësi në kalimin e disa rrugëve.