Mblidhet këshilli bashkiak, betohet anëtari më i ri i komunitetit rom

TIRANË, 16 janar/ATSH/ Për herë të parë këshilli bashkiak i Tiranës do të ketë në përbërje të tij edhe një këshilltar që vjen nga radhët e komunitetit rom, duke shënuar një moment historik.
Sead Kazanxhiu, 37 vjeç, vjen nga Partia Socialiste dhe zëvendëson në këtë detyrë Besard Kadinë.
Në fjalën e tij, Kazanxhiu u shpreh se “ky është një moment historik. Bashkia e Tiranës është një parlament i vogël dhe nuk dua të jem i pari dhe i fundit. Dua që kjo rrugë të hapet dhe të përfshihen sa më shumë anëtarë të pakicave në Shqipërisë”.
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj tha se Tirana nuk është e hapur vetëm për këtë komunitet, por edhe për sportistë të huaj që garojnë për disiplina të ndryshme sportive, por edhe për drejtimin e federatave.
“Tirana tani është qytet kozmopolitan, duke kujtuar zhvillimin e saj, por edhe me shtetësitë e reja. Kemi sportist të huaj që na janë bashkuar dhe garojnë nën flamurin tonë. Ky është moment historik, pasi u thye një ‘tavan xhamash’ dhe jam i lumtur dhe kënaqur që Seadi është këtu dhe përfaqëson një komunitet si romët, duke parë ecurinë e tij dhe ngjitjen. Ta kemi qytetin sa më solidar”, u shpreh Veliaj ndër të tjera.
/a.f/r.e/