E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Mblidhet sot Parlamenti i Malit të Zi, Abazoviç përballet me votën e mosbesimit

Më 3 gusht opozita malazeze dorëzoi në Kuvend mocionin për rrëzimin e qeverisë së Dritan Abazoviçit, pas nënshkrimit të Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.  Pesë parti opozitare në Mal të Zi të udhëhequra nga Partia Demokratike Socialiste (DPS) dorëzuan mocionin e mosbesimit që do të votohet sot (19 gusht) në Parlament.

Mocioni për rrëzimin e qeverisë erdhi fill pas marrëveshjes që Abazoviç nënshkroi me Kishën Ortodokse Serbe. Me anë të marrëveshjes, Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi i mundësohet eksterritorialiteti i objekteve fetare, hapet mundësia mësimit fetar në shkollat publike, i njihet subjektiviteti për gjashtë shekuj më i gjatë se sa që Kisha Ortodokse Serbe ka në Serbi, i jep asaj kompetenca publike-juridike dhe në disa fusha ia mundëson statusin ligjor të barabartë me institucionet shtetërore.

Vetë Abazoviç ka deklaruar më herët se ata që filluan procedurën për votëbesim, nuk do të mbijetojnë politikisht.

“Një pjesë e njerëzve që e nisën procedurën dhe një pjesë e strukturave që e nisin atë procedurë, gjoja duke u fshehur pas Marrëveshjes Themelore, sigurisht që nuk do të mbijetojnë politikisht, qoftë kjo të realizohet më 19 gusht, në disa zgjedhje, në ato lokale në Podgoricë. Një pjesë e atyre strukturave sigurisht që nuk do të mbijetojë”, ka thënë Abazoviç.

Por edhe nëse qeveria e Abazoviç i mbijeton votimit të sotëm, e ardhmja e saj do të sfidohet sërish më 2 shtator, me iniciativën e Frontit Demokratik dhe Demokratëve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›