Mblidhet sot komisioni i reformës zgjedhore
.jpg)
Komisioni i Reformës Zgjedhore, pritet të mblidhet mesditën e sotme për të diskutuar në lidhje me tre çështjet që kanë mbetur pezullur pas mosmarrëveshjeve mes dy partive kryesore në vend.
Pritet që në mbledhjen e sotme të diskutohen tre çështjet kryesore që janë riformatimi i KQZ, ankimimi dhe teknologjia e numërimit. Socialistët pritet të paraqesin paketën me propozimet e reja, ku përfshihen edhe korrektimi i sistemit zgjedhor, i kërkuar nga partitë e vogla.
Dy ditë më parë kryeministri Berisha u shpreh i gatshëm për tu ulur në tavolinë me kryesocialistin Rama për të përfunduar reformën, por pa larguar kreun e KQZ-së Ristani. Por lideri i opozitës Edi Rama ripërsërti edhe një herë se riformatimi i KQZ-së mbetet kusht për kompromis me mazhorancën .
Komisioni i reformës zgjedhore mblidhet për herë të dytë pas shtyrjes së afatit të reformës nga ana e Parlamentit deri më datë 12 Korrik.
Realizimi i reformës zgjedhore është një ndër përparësitë kyçe që Brukseli i ka përcaktuar Shqipërisë në mënyrë që ajo të marrë statusin e vendit kandidat.