E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbrëmje e filmit shqiptar në Gjermani



"Në kuadër të "Javës së kulturës shqiptare” që po zhvillohet prej së martës (5 maj) në Dusseldorf u shfaqën filmat: “Koha e kometës”, “Ne dhe Lenini”, “Në Tiranë dhe kudo tjetër”, “Lule bore”, "Nesër nisemi për luftë", "Jeni çmendur fare, s'ju punon hiç rradakja". "Je mërzitur ti ngaqë kanë ikur turqit, miqtë e tu, e pat koha jote", "Pushkë e fishekë i kemi, e pat kjo punë", "Do të luftojmë për mbretin gjerman, për Shqipërinë", fragmente nga filmi “Koha e Kometës” e regjisorit Fatmir Koçi, i cili hapi mbrëmjen e filmit shqiptar. Ngjarjet e filmit zhvillohen në vitin 1914 në kohën kur fuqitë e mëdha angazhojnë një princ të huaj që të udhëheqë Shqipërinë. Këto vite të turbullta përshkruhen në librin e shkrimtarit të mirënjohur Ismail Kadare "Viti i Mbrapshtë", mbi të cilin është bazuar edhe skenari i filmit, një bashkëprodhim me kompaninë LARA Enterprises. “Koha e Kometës” është një prej filmave më të shtrenjtë shqiptarë të xhiruar deri tani. Pyetjes nëse ia vlen të investohet kaq shumë në një film, regjisori Fatmir Koçi i përgjigjet: "Unë them që nuk ka masë për ta matur artin dhe kulturën e një vendi. Dhe nuk ka gjë më solide që jeton përpos se ajo, mendoj unë".

Nga publiku artdashës në Dyseldorf filmi u prit ngrohtë: "Filmi më pëlqeu shumë, është si të thuash një zhytje në një legjendë të moçme dhe nëse e kam kuptuar mirë njërën prej porosive është ajo që fetë duhet të pajtohen me njëra-tjetrën", - thotë një shikuese nga Dyselforfi. "Unë besoj që nuk jam një vizitor i rastit. Unë vetë kam jetuar disa vite në Shqipëri, i njoh gjërat, vendet dhe problemet andaj për mua ishte një rikthim në atdheun tim të dytë. Mendoj se për të tjerët , për vizitorët e tjerë gjermanë të cilët nuk e njohin sfondin e këtyre ngjarjeve, këta filma kuptohen më me vështirësi kështu që është dëm që nuk kishte sqarime të mjaftueshme për sfondin e ngjarjeve. Përndryshe jam shumë i impresionuar dhe filmat më pëlqyen shumë". - thotë një nga spektatorët gjermanë në sallë. Dy bashkëbiseduesit e fundit flasin për një film tjetër që po ashtu u përcoll me interesim të madh nga publiku. Është fjala për filmin e regjisorit Saimir Kumbaro "Ne dhe Lenini". I pranishëm në kinemanë e muzeut të filmit në Dyseldorf ishte edhe vetë regjisori Kumbaro, i cili sqaroi për publikun se filmi ka një karakter të zhanrit të komedisë dramatike dhe është një metaforë: "Është Shqipëria në tranzicion brenda një oborri të një azili pleqsh. Në njëfarë mënyre çdo karakter përfaqëson një kategori sociale. Mendoj që filmi ka mesazhe të thjeshta. Është një film që të jep optimizëm. Unë shoh në mesin e publikut njerëz edhe nga mosha e tretë dhe dua t'u them juve se njeriu nuk ka moshë dhe mbi të gjitha gruaja, muzika dhe dashuria nuk kanë moshë".

Esat Ahmeti

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›