E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, ata lart dhe ne këtu poshtë

Shkaqet, shkaktarët dhe viktimat e shpërthimit të 15 marsit, Ardian Klosi i ka përmbledhur në librin "Katastrofa e Gërdecit". Një rrëfim me fakte dhe dëshmi për tragjedinë e ndodhur një vit më parë


Duhej të kalonte ca më shumë se një vit që nga shpërthimi i fabrikës së çmontimit të armëve në Gërdec, që të publikohej libri "Katastrofa e Gërdecit". Libri, që ka për autor Ardian Klosin, është një sintezë e shkaqeve, shkaktarëve dhe viktimave të kësaj tragjedie. Gjatë prezantimit të librit, autori nuk mund të pretendonte publik më të përshtatshëm se sa disa prej të mbijetuarve dhe familjarët e tyre.
Të ulur diku në fillim të sallës, dëgjonin se si të tjerët tregonin historinë e tyre dhe të njerëzve të dashur që tashmë nuk i kanë më. Disa kureshtarë shfletonin librin e të tjerë dëgjonin. Nga gratë e veshura me të zeza, ulur pranë njëra-tjetrës, vetëm njëra guxoi të flasë. Gjysmë e përlotur Afërdita, e cila ka humbur bashkëshortin, ngrihet dhe me një zë lutës u kërkon mediave, të paktën të mos shfaqin më fytyrën e Fatmir Mediut teksa bën fushatë. "A ka mundësi të bëjë fushatë pa nxjerrë fytyrën në televizion?", - pyeti 46-vjeçarja.
Autori Ardian Klosi, tregon se librin e ka ndërtuar në dy pjesë, atë dokumentare dhe dëshmi të të mbijetuarve dhe familjarëve të tyre. Për këtë strukturë i është referuar edhe librit "Ju aty lart dhe ne këtu poshtë", të autorit gjerman Günter Wallraff, ku në fillim tregohet për "ata lart" që përgatitën Gërdecin dhe në fund për "ata poshtë", viktimat.

Prezantimin e librit ju e bëtë përballë të mbijetuarve nga shpërthimi i Gërdecit dhe familjarëve të atyre që nuk ia dolën dot. Çfarë mund t'u thotë atyre që panë gjithçka?
Në radhë të parë, libri është bërë për të mbijetuarit. Në të jepen disa detaje, si për shembull, ku u gatua, kur filloi ideja e Gërdecit dhe pastaj si u shfrytëzua padijenia e këtyre njerëzve, që më pas u punësuan në të ashtuquajturën fabrikë, në atë punishte primitive, kriminale. Kjo është historia e aferës më korruptive të shtetit shqiptar. Që prej vitit 1990 ka pasur shumë skandale, (fajdet, etj.), po kjo ishte më e përgjakshme. Është historia e një grupi të vogël njerëzish, të cilët vendosin që arsenalin ushtarak të Shqipërisë të mos e demontojë me mënyra industriale, por ta përdorin për përfitime personale, duke ua dhënë privatëve. Kjo histori në thelb ka vetëm 5 ose 6 fajtorë. Të tjerët janë zbatues urdhrash.


Po atyre që e panë Gërdecin nëpërmjet ekranit të televizionit çfarë u tregoni ju?
Libri tregon mënyrën se si nuk duhet të jetë një qeverisje. Çfarë u bë me municionet e ushtrisë shqiptare që nuk duhej bërë. Pra, aty lexon pikërisht gjërat që nuk duheshin bërë. Dhe gjithmonë shpresa është që të mendohet dhe të veprohet ndryshe. Në qoftë se ky libër arrin të bëjë atë pak proces pastrimi, katharsisi që duhet të bëjë një libër i mirë, ai e ka arritur misionin e vet.


Ju përmendët se ishte e domosdoshme që municionet të shpërbëheshin përpara se Shqipëria të anëtarësohej në NATO...
Këtë gjë e kam konstatuar duke parë thjesht shifrat, duke vënë re se si shtoheshin transportet drejt Gërdecit, praktikisht nga mesi i janarit deri në mes të marsit. Është sjellë në Gërdec 1/10 e municioneve të rënda të të gjithë Shqipërisë, kryesisht predha topi e murtaja. Dhe po të vazhdohej më këto ritme, mund të përfytyrojmë që 10-12 muaj para se Shqipëria të hynte në NATO, do të ishin demontuar të gjitha me një përfitim të jashtëzakonshëm për Delijorgjin, për personat e dukshëm dhe të padukshëm mbrapa tyre. Ky proces u ndërpre për shkak të shpërthimit të 15 marsit.

"Katastrofa e Gërdecit" përmban edhe dokumente tashmë të publikuara. Përse duheshin botuar sërish?
Disa prej tyre nuk janë interpretuar. P.sh., është marrë si e mirëqenë kontrata e dytë me firmën "SAC" për predhat. Ai është një dokument fals, i shkruar me një anglishte shumë të keqe. Jo vetëm mediat, por edhe Prokuroria e ka marrë të mirëqenë faktin që "Meico" ka lidhur kontratë me Patrik Henrin. Aty anglishtja është me gafa, firma e Henrit është e falsifikuar. Janë disa gjëra që unë çuditem se si nuk janë vënë re më përpara. Sidomos fakti që merret si e mirëqenë kontrata e parë për 140 milionë fishekë me gëzhoja tunxhi, kur vetë Ministria, në një dokument tjetër, ka numëruar ose përcaktuar sasinë e përgjithshme, që nuk e kalon 61 milionë.

Libri, përveçse është një pasqyrim, mund të themi se është edhe një analizë...
Patjetër, sidomos në pjesën e dokumentacionit. Kurse pasurimi pastaj janë bisedat e shumta që kam bërë me familjarë dhe të mbijetuar.


Si mund të ndërtohet një libër mbi një tragjedi kombëtare?
Günter Wallraff ka botuar një libër me titull, "Ju aty lart dhe ne këtu poshtë", ky është dhe konceptimi i librit tim, shkaktarët dhe viktimat. Tregohet se si u gatua një herë lart Gërdeci dhe pastaj, në pjesën e dytë të librit, tregohet për banorët e Vorës, Gërdecit, Marqinetit, për ish-punëtorët e fabrikës. Në qendër kam vënë një familje të veçantë, familja Durdaj. Më tërhoqën shumë si njerëz. Kanë ardhur nga një fshat i Gramshit, janë njerëz shumë të pastër dhe gjuhësisht janë shumë të pasur. Kanë humbur një djalë, të cilin e kam vënë në qendër të tregimit tim. Gjithashtu, vëllai tjetër Durdaj ka humbur gruan, Rajmondën. Nuk doja të bëja një regjistër të thjeshtë të njerëzve që humbën jetën. Doja t'i shihja këta si njerëz të vërtetë, me mish dhe me gjak. Të shkoja t'i takoja. Kam shkuar disa herë në shtëpinë e tyre, kemi shkuar madje edhe në fshatin që kishin braktisur në Gramsh.

Një nga familjarët e viktimave u shpreh se figura e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, nuk duhet të dalë më në televizor. Sipas saj, ai mund ta vazhdojë fushatën, por pa nxjerrë fytyrën në ekran. Ju si e komentoni?
Ajo ishte shprehja e dufit të saj. Mendoj se thelbi i mesazhit ishte që ai njeri nuk duhet të dalë më në jetën publike. Ky njeri duhet të mbarojë punë me drejtësinë. Ky është edhe qëndrimi im.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›