E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbreti Zog kthehet ne atdhe pasqyrim ne mediat e huaja

Mediat e huaja kanë pasqyruar gjerësisht ceremoninë për rivarrosjen e eshtrave të Mbretit Zog në Atdhe, 50 vjet pas vdekjes së tij në ekzil, në Francë. Mbreti Zog, i cili ndërroi jetë në vitin 1961 në moshën 65-vjeçare në Francë, është rivarrosur në atdhe pas një vendimi të qeverisë në kuadër të përvjetorit të njëqindtë të Pavarësisë, në Mauzoleumin e familjes mbretërore.

“Uashington Post” shkruan se Shqipëria ka kthyer në shtëpi nga Franca eshtrat e mbretit të saj në ekzil. Ndër të tjera shtypi amerikan e cilëson Zogun si monarkun e vetëm të Shqipërisë pas pavarësisë së vendit.

“BBC” në faqen e saj në internet ka bërë një përshkrim të detajuar të ceremonisë përkujtimore në nder të mbretit Zog, me ceremoninë e varrosjes sipas të gjitha nderimeve ushtarake. Mbreti Zog e shpalli veten mbret në vitin 1928, për t’u larguar nga vendi në vitin 1939 kur trupat fashiste të diktatorit Italian Benito Musolini pushtuan Shqipërinë. BBC, shkruan gjithashtu se në ekzil ai jetoi disa vite në Angli, Egjipt për t’u vendosur më pas në Francë ku dhe ndërroi jetë në vitin 1961.

“Asocietid Pres” në pasqyrimin e saj përshkruan pjesëmarrjen e gjerë në ceremoninë përkujtimore ku ishin të pranishëm përveç anëtarëve të familjes dhe personalitete të larta të vendit.

“Vankuver San” thekson pjesëmarrjen e liderëve më të rëndësishëm dhe mijërave njerëzve në ceremoninë kushtuar kthimit të eshtrave të Mbretit Zog në Shqipëri pas gjysëm shekulli ku ai jetoi dhe vdiq në ekzil. Eshtrat e Mbretit Zog I u vendosën në mazoleumin e familjes së bashku me bashkëshorten e tij hungareze, Mbretëreshën Geraldinë, djalin e tij Leka I dhe bashkëshorten Suzana.

“The Australian Njus” citon fjalën e kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha i cili e ka përshkruar Mbretin Zog si një figurë të çmuar, i cili hodhi themelet e popullit shqiptar. Por në shkrim përmendet dhe pjesëmarrja e mijëra personave në ceremoninë përkujtimore.
“The Independent” e nis shkrimin e tij me titullin, Zog, mbreti i fundit, kthehet në shtëpi. Më pas Monarkut të vetëm të Shqipërisë i është bërë dhe një biografi e shkurtër.
Ceremonia e vendosjes së eshtrave në banesën e fundit është shoqëruar me të shtëna nga pushkatarët e Ministrisë së Mbrojtjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›