Mbreti Zog prehet në Atdhe, në mauzoleumin e Familjes Mbretërore
Emocion dhe nderim në ceremoninë e kthimit në atdhe të eshtrave të Mbretit Zog. Homazhe nga mijëra qytetarë si dhe mesazhe vlerësimi për njeriun që konsiderohet se ndërtoi shtetin modern shqiptar. Presidenti i Republikës Bujar Nishani e nderon Ahmet Zogun me Urdhrin e Flamurit Kombëtar
Berisha: “Vepra madhore në historinë tonë kombëtare e Ahmet Zogut duhet t’i bashkojë shqiptarët”
Jahjaga: Zogu dhe i gjithë populli i pritën me gjithë zemër kosovarët e përzënë nga vendi i tyre
Mbreti i shqiptarëve Ahmet Zogu do të prehet përjetësisht në atdheun e tij, 51 vjet pas ndarjes nga jeta në Paris, bashkë me anëtarët e tjerë të familjes mbretërore. Dje u krye edhe ceremonia e vendosjes së eshtrave të ish Mbretit Zog në Mauzoleumin e Familjes Mbretërore, i ndërtuar posaçërisht në Tiranë. Për rreth dy orë, figura e tij u nderua në ceremoni homazhesh në Pallatin e Brigadave, nga familjarë dhe personalitete të larta shtetërore, ku morën pjesë Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ministra dhe anëtarë të Kuvendit të Shqipërisë. Mbreti u nderua ashtu siç nderohet një kryetar shteti, që bart mbi supe disa fakte historike. Shqiptarë nga të gjitha trojet shqipfolëse vlerësuan lart përkushtimin dhe veprën e Ahmet Zogut në krijimin e shtetit apo dhe në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve jashtë kufijve etnikë. Dhe Mbreti Zog, më shumë se gjithçka tjetër, ka meritat e themelimit të shtetit të vërtetë shqiptar. Të pranishëm në ceremoni ishin edhe përfaqësues të komuniteteve shqiptare në vend. Ceremonia nisi me fjalimin e trashëgimtarit të Fronit Mbretëror shqiptar, Princ Leka II, e cila u pasua nga një fjalim i presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga dhe në fund nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani. Pas të gjitha riteve dhe nderimeve, ceremonia vijoi me inaugurimin e Mazoleumit të Familjes Mbretërore, ku dhe u vendosën eshtrat e Mbretit Zog, të shoqëruara me të shtëna topi. Eshtrat e ish-Mbretit Zog u zhvarrosën tre ditë më parë në varrezat “Thiais” në Paris, në një ceremoni ushtarake. Arkivoli i mbështjellë me flamurin kombëtar u prit me të gjitha nderimet shtetërore, mëngjesin e ditës së premte në aeroportin “Nënë Tereza”. Kthimi në Atdhe i eshtrave të Mbretit Zog u bë i mundur falë angazhimit të qeverisë shqiptare dhe veçanërisht kryeministrit Sali 2Berisha, në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë, për vlerësimin e kontributit të figurave historike në themelimin e shtetit shqiptar. Ahmet Zogu u lind më 8 Tetor 1898 në Burgajet të Matit. Mbreti Zog u largua nga Shqipëria në prill të 1939, ditën e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore regjimi komunist i ndaloi atij dhe familjes mbretërore rikthimin në atdhe. Mbreti Zog jetoi në mërgim deri sa u nda nga jeta në spitalin Foch të Parisit më 8 Prill 1961. Edhe pse një figurë historike e kontestuar, më shumë për interesa të regjimit komunist që do instalohej në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore, Mbreti i shqiptarëve asnjëherë s’e ndali rezistencën e tij ndaj përndjekjes që regjimi hoxhist i bënte përmes shtrembërimit të historisë, propagandës së “tradhtarit” e me radhë. Në tërësi, qëndrimi i komunistëve ishte përjashtues ndaj Ahmet Zogut dhe kjo nuk lidhet me ndonjë akt “tradhtie” të tij, por me vetë faktin se Mbreti i shqiptarëve ishte në krye të lëvizjes së shqiptarëve në emigracion, për rrëzimin e regjimit diktatorial i cili merrte jetë njerëzish të pafajshëm, rrënonte vendin ekonomikisht si dhe po e çonte Shqipërisë drejt një izolimi të paprecedentë me botën e jashtme. Dhe fatkeqësisht, Shqipëria e pësoi, e pësoi aq rëndë sa Mbreti s’arriti ta shohë, as mësojë, pasi ndarja e tij nga jeta më 8 Prill 1961, shënoi edhe fundin e një përpjekje nga jashtë, për shpëtimin e shqiptarëve nga e keqja hoxhiste. Por, pas 51 vjetësh Mbreti do të prehet në atdheun e tij; aty ku e nderuan të gjithë pa përjashtim..., edhe pse, përjashtimi i vetëm janë sërish atå; pasardhësit e nomeklaturës komuniste. Bijtë e Enver Hoxhës, ishin të vetmit që bojkotuan ceremoninë e kthimit në Atdhe të eshtrave të Mbretit Zog.
Largimi i NMT Mbretit Zog I
Më 9 prill 1939, duke mos pranuar kushtet e pushtimit fashist, largohet nga Shqipëria me vendimin e parlamentit në Perëndim, për të kontaktuar zyrtarisht me kancelaritë perëndimore dhe për të përgatitur rezistencën ushtarake kundër pushtimit, si dhe për të organizuar qeverinë legjitime shqiptare në mërgim dhe për të drejtuar me anë të saj të gjitha operacionet zyrtare dhe ato politike e ushtarake.
Më 10 Prill 1939 vendoset në Greqi dhe fillon organizimin e rezistencës së armatosur si dhe funksionimin e qeverisë; Më 3 Maj 1939 mbërrin në Turqi, ku pritet nga autoritet më të larta të vendit dhe nga shqiptarët; Më 30 Qershor 1939 niset për në Evropë; Më 2 Korrik 1939 mbërrin në Rumani, ku pritet nga Mbreti Karol i Rumanisë; Më 15 Gusht 1939 mbërrin në Paris, ku akomodohet në Rezidencën e përkohshme Mbretërore dhe fillon kontaktet zyrtare me autoritetet më të larta të Francës. Më 22 Qershor 1941 mbërrin në Britani, ku pasi fillimisht u akomodua në Hotelin “Ritz” më vonë merr me qira një vilë banimi në Parmoor.
Qëndroi në Mbretërinë e Bashkuar deri në përfundim të luftës. Më 18 Mars 1946 vendoset në Egjipt, pas një ftese dashamirëse qëndrimi dhe akomodimi të garantuar zyrtarisht nga Mbreti Faruk i Egjiptit. Më 29 Gusht 1955 mbërrin në Francë dhe fillimisht vendoset në Paris, por vonë Familja Mbretërore akomodohet në Kanë.
Ceremonia
Ceremonia e homazheve në Pallatin e Brigadave për mbretin Zog I zgjati nga ora 10:00 deri në orën 12:00. Njerëz të shumtë në radhë përpara Pallatit të Brigadave, kishin vetëm një synim, t’i jepnin nderimet e rastit Mbretit të shqiptarëve. Në homazhe, krahas krerëve të lartë të shtetit dhe familjarëve, miqve e të afërmve, morën pjesë
ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ministri i Brendshëm Flamur Noka, kreu i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, zëvendësministri i Kulturës, Abaz Hado, zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili,
deputetja e PD-së, Rajmonda Bulku, deputeti i pavarur Katriot Islami, përfaqësues nga Lugina e Preshevës, krahinës së Matit, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe shumë dashamirës e mbështetës të Mbretit Zog.
Presidenti Nishani dekoron Naltmadhninë e Tij Zogun I, me “Urdhrin e Flamurit Kombëtar”
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi Naltmadhnisë së Tij Zogut I, Mbretit të Shqiptarëve (Pas vdekjes) “Urdhrin e Flamurit Kombëtar” me motivacionin: “Figurë madhore e qendrore e historisë së Shqipërisë, që hodhi themelet e ndërtimit dhe funksionimit të shtetit modern shqiptar, me orientim të qartë perëndimor europian. Ideator dhe realizues i administratës së parë të shtetit shqiptar, si dhe i një legjislacioni bashkëkohor të niveleve të larta, që do t’i hapte rrugë emancipimit shoqëror dhe zhvillimit të vendit. Personalitet që gjithë jetën e tij e lidhi me fatet e kombit, të Shqipërisë dhe të shqiptarëve”.
Kryeministri Berisha nderon kujtimin e ish Mbretit të Shqipërisë Ahmet Zogu
“Vepra madhore në historinë tonë kombëtare e Ahmet Zogut duhet t’i bashkojë shqiptarët”
“Ndonjërit që ka frikë nga eshtrat e monarkut i them se ke mbetur në lëkurën e Enverit. Ndaj t’ia lëmë diskutimet historianëve e të bëjnë ata vlerësimet më të mira, pasi atyre u takon e drejta për të vlerësuar gjithçka, ne të vlerësojmë kontributin e vlerat e jashtëzakonshme që ky shtetar dha për këtë vend e këtë komb”
Kryeministri Sali Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja zonja Liri Berisha dhe fëmijët, zhvilloi dje, homazhe në nderim të kujtimit të Mbretit Ahmet Zogu, eshtrat e të cilit u kthyen një ditë më parë në Shqipëri. Pas vdekjes në vitin 1961, trupi i ish Mbretit Ahmet Zogu prehej në një varrezë të Parisit, Francë. Me iniciativë e vendim të qeverisë shqiptare, në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, eshtrat e Mbretit, i cili qëndroi në krye të Monarkisë Shqiptare nga viti 1928 deri në vitin 1939, u kthyen pas 51 vitesh në atdhe. Kryeministri, pas homazheve, shprehu vlerësimet për rolin dhe kontributin e madh të Ahmet Zogut në historinë e vendit. “Sot, shqiptarët në të gjithë trojet etnike, shqiptarët në diaspore e kudo që ndodhen nderojnë e përulen para veprës e kontributit të një prej burrave më të shquar të historisë së tyre kombëtare, Mbretit Zogu I, që rikthehet në dheun e tij pas dekadash ekzil në mërgim, prej së gjalli dhe prej së vdekuri, në dhëna të tjera. Shqiptarët kudo që janë përulen me nderim të madh para burrit që jetësoi pavarësinë e Shqipërisë. Flamuri kombëtar, flamuri i Skënderbeut u ngrit në Vlorë në 28 nëntor 1912 nga Ismail Qemali dhe atdhetarë të tjerë të kombit, por ndërhyrje antishqiptare të fqinjëve, në bashkëpunim me aventurierë shqiptarë, penguan për vite të tëra vendosjen dhe ndërtimin e një shteti shqiptar. Do të ishte qeveria e Sulejman Delvinës, në të cilën figurë qendrore ishte dhe mbeti djaloshi, që në moshën 17 vjeçare kishte rendur drejt Vlorës për të qenë pranë Ismail Qemalit në ngjarjen më të madhe të historisë së kombit. Në vitin 1920, ai do të emërohej ministër i Brendshëm. Në një moshë të re, ai së bashku me atdhetarë të tjerë shqiptarë, manu militari, do të vendoste integritetin territorial të Shqipërisë. Është koincidencë e mrekullueshme që ai kthehet sot, në dheun e tij, në ditën e çlirimit të kryeqytetit. Tirana kryeqytet është vepër e këtij burri, i cili e çau me grykë të pushkës nga Lushnja deri në Tiranë dhe bëri që qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës të përzgjedhë si kryeqytet të kombit Tiranën. Ahmet Zogu nderohet sot nga të gjithë shqiptarët, për ndërtimin e shtetit shqiptar, për kontributin e tij historik për ndërtimin e këtij shteti që nga koha e Skënderbeut deri në vitet 1920. Ahmet Zogu do të nderohet gjithnjë nga shqiptarët, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm historik në zhvillimin e konsolidimin e vokacionit perëndimor të kombit shqiptar, të shoqërisë shqiptare. Në periudhën e mbretërisë së tij, ai bëri përpjekjet më të jashtëzakonshme për zhvillimin e infrastrukturës së një vendi që dukej se vinte nga gjysma e errët e hënës. Ai bëri përpjekje të jashtëzakonshme për zhvillimin e arsimit, të kulturës, të bujqësisë, të biznesit dhe konturoi diplomacinë shqiptare, si një diplomaci aktive. Shqiptarët, brez pas brezi, do të ndjehen krenarë me Mbretin e parë Zog, me qëndrimin që monarku i shqiptarëve mbajti ndaj Holokaustit. Ndonëse një prej vendeve më të varfra, ekonomikisht e në tërësi më të dobët, ai nuk u rreshtua me koalicionin e heshtur në Holokaust. Përkundrazi, hapi dyert e vendit të tij, për ata që ndiqeshin në një gjah barbar, të pashembullt në historinë e njerëzimit”- u shpreh kryeministri Berisha.
Ai theksoi se Mbreti Zog, sikundër shumica e monarkëve të Evropës pas pushtimit, u largua nga Shqipëria, por u largua për të vazhduar betejën në të gjitha frontet, në krahun e koalicionit antifashist botëror. “Natyrisht, në historinë tonë kombëtare, ne shqiptarët nuk kemi figura eterike, nuk kemi pasur, nuk kemi e nuk do të kemi të pagabueshëm, por kjo nuk është specifikë vetëm e jona. Ata që studiojnë historinë e kombeve më të zhvilluara gjejnë aty të njëjtën gjë, njerëz që kanë bërë gabime, njerëz me kontribute të mëdha. Në këtë kontekst, nëse do të bënim një vlerësim në raport me rrethanat, në të cilat mbretëroi, përpjekjet e tij nuk mund të konsiderohen ndryshe veçse mbinjerëzore, për liri, dinjitet dhe zhvillimin e shqiptarëve. Unë gjej një rast për t’i shprehur mirënjohjen më të thellë Francës, vendit më të madh të lirisë, e cila e pranoi atë në gjirin e saj, në kohën kur ajo qeverisej nga gjenerali De Gol, i cili organizoi rezistencën më të shkëlqyer të kombit francez kundër pushtimit të vendit të vet. Natyrisht, gjenerali nuk refuzoi kërkesën e një njeriu, i cili gjatë viteve të luftës bëri çdo gjë, për organizimin e një rezistence të armatosur kundër pushtuesve të vendit të tij”- tha ai.
Kreu i qeverisë shqiptare vlerësoi se kontributi, vepra madhore në historinë tonë kombëtare e Ahmet Zogut duhet t’i bashkojë shqiptarët e të gjitha bindjeve, sepse, pavarësisht nga indoktrinimet, të vërtetat historike është më mirë t’i mësosh edhe vonë, sesa kurrë. “Ndonjërit që ka frikë nga eshtrat e monarkut i them se ke mbetur në lëkurën e Enverit. Ndaj t’ia lëmë diskutimet historianëve e të bëjnë ata vlerësimet më të mira, pasi atyre u takon e drejta për të vlerësuar gjithçka, ne të vlerësojmë kontributin e vlerat e jashtëzakonshme që ky shtetar dha për këtë vend e këtë komb”, - u shpreh Kryeministri në një prononcim publik pas homazheve.
Më pas, Kryeministri Berisha mori pjesë në ceremoninë shtetërore të përcjelljes dhe vendosjes së eshtrave të ish Mbretit Zog në mauzoleumin e familjes mbretërore. Në këtë ceremoni, krahas autoriteteve më të larta të vendit, ishte e pranishme edhe Presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga dhe Zëvendëskryeministri i Hungarisë Zsolt Semjen.
Presidentja Atifete Jahjaga: Kthimi i eshtrave të tij në atdhe simbolizon drejtësinë hyjnore
Ceremonia u përshëndet edhe nga Presidentja e Kosovës, Ahtifete Jahjaga, e cila, duke vlerësuar kontributin e Ahmet Zogut në konsolidimin e shtetit shqiptar, tha se “kthimi i eshtrave të tij në atdhe simbolizon drejtësinë hyjnore dhe paqen politike”. “Prehja në tokën tonë e atyre që u përpoqën për shtetndërtimin është një amanet i mbetur peng, që ne duhet ta kryejmë me nder e krenari. Me këtë dëshmojmë urtësinë, duke fituar qetësinë shpirtërore si njerëz dhe komb, duke pasur respekt për punën e prijësve tanë. Shqipëria në udhëheqjen e naltmadhërisë, nga një vend i varfër e i pa zhvilluar, fisnor e i përçarë, u bë një vend modern i kohës, me shtrirje të pushtetit dhe administratës në secilin cep, me tolerancë fetare, shembull për vendet e tjera. Me qeverisjen e tij ndërlidhen datat më të rëndësishme, që nga shpallja e pavarësisë në Vlorë, luftën në mbrojtje të Shkodrës, duke përzënë trupat malazeze, serbe, greke, italiane dhe trupat e tjera të huaja nga territori i shtetit, në zbatim të vendimeve të Kongresit të Lushnjes. Zogu dhe gjithë populli i pritën me gjithë zemër kosovarët e përzënë nga vendi i tyre, respektoi tolerancën fetare. Eshtrat e patriotëve nuk i tret dheu i huaj dhe guri i rëndë peshon në vendin e vet”- tha Jahjaga.