“Mbro natyrën”, konkurs interaktiv për promovimin e biodiversitetit shqiptar

TIRANË, 25 maj /ATSH/ Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka çelur konkursin “Mbro natyrën”, një nismë ndërgjegjësuese që synon promovimin e biodiversitetit dhe mbrojtjen e mjedisit përmes një eksperience interaktive në disa qytete të vendit.
Në kuadër të kësaj nisme, qytetarët ftohen të zbulojnë specie të ndryshme të faunës shqiptare nëpërmjet sticker-ave të gjelbër të vendosur në Tiranë, Shkodër, Durrës dhe Vlorë.
Duke skanuar kodet QR, pjesëmarrësit mund të mësojnë më shumë mbi kafshët dhe habitatet natyrore në Shqipëri.
Konkursi inkurajon të rinjtë dhe qytetarët të krijojnë video kreative nga kjo eksperiencë dhe t’i publikojnë ato në profile publike në Instagram, duke përdorur hashtag-et #KonkursiMbroNatyrën, #natyrajonë, #përgjegjësiajonë dhe #mbronatyrën.
Sipas njoftimit, videot duhet të dërgohen edhe në adresën elektronike eu4greengen@gdsi.ie, ndërsa fituesit do të kenë mundësinë të përfitojnë dhurata të ndryshme.
Aktiviteti do të zhvillohet në periudhën 25-30 maj dhe synon të afrojë qytetarët me natyrën përmes teknologjisë dhe ndërveprimit edukativ.
Më shumë informacion mbi konkursin mund të gjendet në mbronatyren.al.
/gj.m/a.f/