Mbrojtja ajrore, SHBA planifikon të dërgojë raketa Patriot në Ukrainë

SHBA po planifikon që të dërgojë raketa të mbrojtjes ajrore Patriot në Ukrainë. Kjo raportohet nga mediat amerikane. “Presidenti Joe Biden pritet ta njoftojë këtë masë gjatë kësaj jave”,- thuhet nga zyrtarë të paidentifikuar.
Ukraina ka kërkuar mbështetje më të madhe për mbrojtjen ajrore, pasi sulmet ruse kanë vazhduar të vrasin civilë dhe të shkaktojnë ndërprerje të energjisë elektrike.
Patriot është një nga sistemet më të avancuara të mbrojtjes ajrore amerikane, por furnizimet në Ukrainë ka të ngjarë të jenë të kufizuara. Ende nuk dihet se sa bateri do të dërgohen në Ukrainë.
“Pasi të miratohet masa, sistemet ka të ngjarë të dërgohen gjatë ditëve në vijim, dhe të përdoret nga ushtarë ukrainas që janë trajnuar në një bazë të ushtrisë amerikane në Grafenwoehr, Gjermani, me qëllim për t’i përdorur ato”- thanë zyrtarët.
“Sistemi Patriot do të ishte një objektiv legjitim për sulmet ruse”- u kundërpërgjigj sot Kremlini.
Ky vendim dëshmon se kërcënimi më i madh vjen nga ajri dhe jo nga toka. Rusia ka shënjestruar rregullisht infrastrukturën kritike të Ukrainës me raketa dhe dronë, duke lënë miliona ukrainas pa energji elektrike dhe ujë në mes të dimrit.
Në muajt e fundit Ukraina u furnizua me mbrojtje ajrore të avancuar nga Perëndimi, duke përfshirë NASAM dhe sistemet Iris-T.
Por ende ka nevojë për më shumë. Ajo ka nevojë për mbrojtje ajrore jo vetëm për të kapur raketat e lëshuara në qendrat e furnizimit dhe të shpërndarjes së energjisë brenda dhe përreth qyteteve të saj, por edhe për të parandaluar Rusinë që të fitojë epërsi ajrore pranë vijave të frontit.
Justin Bronk, një bashkëpunëtor i lartë në institutin e mbrojtjes, beson se vendimi i SHBA për të furnizuar Ukrainën me bateritë Patriot, lidhet me shqetësimin e perëndimit se Irani mund të furnizojë Rusinë me raketa balistike me rreze të gjatë veprimi.
Furnizimi i Ukrainës me bateri Patriot ka të ngjarë të jetë i kufizuar. Sistemi është shumë i kërkuar në të gjithë botën, është i shtrenjtë dhe kërkon trajnim special për ta përdorur.
Patriot është përshkruar si sistemi më i avancuar i mbrojtjes ajrore që posedon SHBA. Çdo raketë kushton rreth 3 USD dollar raportoi Washington Post në 2017.
Sistemi është blerë nga shumë vende që kur hyri në përdorim në vitin 1980. Ato janë në përdorim nga aleatët e SHBA-së në Paqësor dhe Evropë, si dhe nga Arabia Saudite.
Bateria përfshin lëshuesin e raketave, një radar, qendër komandimi dhe kontrolli, si dhe mjete të tjera mbështetëse. BBC
/rtsh.al/