E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbrojtja e Krasniqit: Prokuroria u mbështet në thashetheme, të shpallet i pafajshëm

PRISHTINË, 16 shkurt /ATSh/ Ekipi mbrojtës i Jakup Krasniqit ka vazhduar sot me deklaratën përmbyllëse.

Mbrojtja e tij, e udhëhequr nga avokatja Venkateswari Alagendra ka nisur parashtrimet përfundimtare pasditen e së premtes dhe kërkon pafajësinë e Krasniqit.

Radio Evropa e Lirë ndau fragmente nga fjala e avokates së Krasniqit, Alagendra.

“Prokuroria nuk e ka vërtetuar ekzistencën e një politike qendrore të miratuar të UÇK-së për t’i shënjestruar bashkëpunëtorët dhe nuk e ka demonstruar lidhjen në mes të politikës së pretenduar të Krasniqit. Provat vërtetojnë stigmën sociale që ekzistonte përpara luftës, sjelljen e decentralizuar dhe shpeshherë kaotike gjatë saj, si dhe mbështetjen e gjerë në prova të dorës së dytë, thashetheme apo citime, dhe jo fakte”, tha ajo.

Avokatja e përshkruan Krasniqin si njërin prej aktivistëve më të mëdhenj për lirinë e Kosovës.

“Për aktivizmin e tij, Krasniqi ka paguar shtrenjtë. Ai i ka kaluar 10 vjet si i burgosur politik, nga viti 1981-1991, ku ka pësuar torturë dhe keqtrajtim të rëndë, në kushte të tmerrshme në duart e autoriteteve jugosllave. Ai është kundërshtar i regjimit serb dhe është krenar për këtë, jo për urrejtje ndaj serbëve, por sepse kundërshtonte politikat e aparteidit kundër shqiptarëve të Kosovës, të imponuara nga regjimi serb i [Sllobodan] Millosheviqit.”

Ajo citon zyrtarë të huaj ta kenë përshkruar Krasniqin si figurë konstruktive që tentonte të gjente zgjidhje paqësore, dhe që nuk kërkonte përballje apo konfrontim.

“Asnjë dëshmitar nuk ka dëshmuar se Krasniqi perceptohej si i përfshirë në krime apo në ndonjë plan kriminal. Në të kundërtën, pretendimet nuk janë besuar”.

Avokatja insiston në pafajësinë e Krasniqit

“Nuk ka prova të besueshme se Krasniqi ishte i pranishëm, urdhëroi apo mori pjesë në krime kundër ndonjë civili, jo në emër të tij, jo në prani të tij. Kjo ishte e vërtetë në fillim të këtij gjykimi, është e vërtetë tani. Dhe kur fillon një gjykim dhe përfundon në të njëjtin vend, ligji lejon vetëm një rezultat: shpalljen e pafajësisë për të gjitha akuzat”, tha avokatja.

/REL//r.e/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›