E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedonci për deklaratat e gjeneralit serb: Modernizimi i ushtrisë së Kosovës s’ka karakter kërcënues ndaj askujt

PRISHTINË, 16 shkurt/ATSh/ Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, i ka quajtur si “të pavërteta dhe të papërgjegjshme” deklaratat e kreut të ushtrisë serbe, se shndërrimi në ushtri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) mund të përbëjë kërcënim për komunitetin serb në vend.

Kreu i ushtrisë serbe, gjenerali Millan Mojsilloviç ka deklaruar për gazetën “Politika” se fuqizimi dhe modernizimi i FSK-së kishte “karakter kërcënues” për serbët e Kosovës dhe se “nuk i kontribuon paqes”.

Maqedonci hodhi poshtë pretendimet e tij, duke thënë se FSK-ja është forcë profesionale, e ndërtuar sipas standardeve më të larta demokratike.

“Forca e Sigurisë së Kosovës është një forcë profesionale, e ndërtuar sipas standardeve më të larta demokratike. Ajo vepron nën kontroll të plotë civil dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe me obligimet tona ndërkombëtare. Mandati i saj është dhe mbetet mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, si dhe garantimi i sigurisë për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim. Fuqizimi dhe modernizimi i ushtrisë së Kosovës nuk ka karakter kërcënues ndaj askujt. Ai përbën një të drejtë legjitime të çdo shteti sovran dhe një domosdoshmëri për garantimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë afatgjatë në vend dhe në rajon”, thekson ai. Ministri shton se “narrativat që synojnë frikësimin e komuniteteve ose justifikimin e politikave destabilizuese nuk kontribuojnë në paqe dhe stabilitet. Përgjegjësia për sigurinë kërkon maturi, respekt për realitetin dhe përkushtim ndaj paqes, e jo deklarata që nxisin tensione”. “Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe ndaj ndërtimit të një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët e saj. Kosova ndërton ushtri për mbrojtje dhe siguri për të gjithë”, përfundon reagimin në rrjetet sociale ministri i Mbrojtjes së Kosovës.

Viteve të fundit, Kosova ka marrë ose blerë pajisje të ndryshme ushtarake kryesisht nga SHBA-ja, si dronët RQ-20 Puma, raketat “Javelin” dhe automjetet “Humvee”, në përpjekje për t’u ndërruar në ushtri.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›