E Diel, 1 Nëntor 2026

Abdixhiku: Buxheti 2026, jokushtetues

PRISHTINË, 16 shkurt /ATSh/ Deputeti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kritikoi projektbuxhetin e paraqitur nga qeveria Kurti për vitin 2026. Ai tha se projektbuxheti është edhe jokushtetues, nëse nuk merr parasysh buxhetin e miratuar të Prishtinës.

Abdixhiku në seancën e sotme të Kuvendit tha se buxheti nuk reflekton as strukturën e re qeveritare, as zotimet e dhëna.

“Për ne është e rëndësishme, për LDK-në, që buxheti i Kosovës të reflektojë ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë, fjalën e kam për buxhetin e kryeqytetit. Paradoksalisht, ky buxhet nuk e merr parasysh buxhetin e kryeqytetit të vet. Është e habitshme dhe shqetësuese se si Kuvendit i sillet një dokument që s’e respekton vendimmarrjen autonome të kryeqytetit të vet. Menjëherë bëhet jokushtetues. Sa për rikujtim, Prishtina e ka miratuar buxhetin më 6 shkurt të vitit 2026, ndërsa buxheti i Kosovës është sjellë në Kuvendin e Kosovës për herë të parë më 13 shkurt të vitit 2026. Mos i ngatërroni gjërat me legjislaturën e kaluar, kjo është legjislaturë e re”, tha ai.

Abdixhiku tha se nëse LDK-së i mohohet buxheti për kryeqytetin, LDK-ja do ta ripërcaktojë pozicionin e saj në çështje që kërkojnë edhe votat e deputetëve të LDK-së.

“Nëse LDK-së i mohohet nga ky Kuvend një e drejtë kushtetuese vetëm nga vullneti i numrave të shumicës, atëherë edhe LDK-ja do ta ridefinojë pozicionin e saj në çështje që kërkojnë numrat tanë në këtë Kuvend”, shtoi Abdixhiku.

/KosovaPress//r.e/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›