E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbrojtja e luftës mbrojtëse

Javën e shkuar në Kroaci u shënua 15-vjetori i çlirimit të Kroacisë, Dita e Falënderimeve, siç quhet festa me të cilën më 5 gusht të vitit 1995, Kroacia, në një operacion të famshëm ushtarak, çliroi territoret e saj që mbaheshin të okupuara nga ushtria serbe. Kjo festë ishte menduar të jetë më modeste sesa ato të mëhershmet, për shkak të krizës financiare dhe nevojës që të kursehet në buxhetin e shtetit. Por mjaftoi një deklaratë e presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, që e gjithë elita politike e Kroacisë ta kuptojë rëndësinë e kësaj feste edhe më të madhe sesa që ishte menduar. Tadiq tha se „operacioni ‘Stuhija’ ishte krimi më i madh që nuk guxon të harrohet“ dhe u shfaq në Beograd në një kishë duke ndezur qirinj për viktimat serbe. Në Kroaci janë mësuar me porosi të tilla nga Beogradi. Por ja se kësaj vere kanë pritur që së paku Boris Tadiq të përmbahet. Arsye për pritje të tilla nga kroatët ka pasur për shkak se presidenti i ri i Kroacisë, Ivo Josipoviq, është afruar shumë me Tadiqin. E ka pritur atë në Kroaci dhe e ka vizituar në Beograd. Madje familja e presidentit të Serbisë Tadiq ka kaluar pushimet e verës në ishujt e Brioneve, me ftesë të presidentit të Kroacisë dhe në shpenzime të taksapaguesve kroatë. Flitej për një „pajtim historik“, „tejkalim të së kaluarës“ dhe „shikim kah e ardhmja“ në raportet e Kroacisë me Serbinë, vende të cilat ende kanë padinë kundër njëra-tjetrës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Por Tadiqi me deklaratën e tij, me të cilën e quan operacionin më të lavdishëm për Kroacinë si „krimin më të madh që nuk guxon të harrohet“, mobilizoi edhe më shumë kroatët dhe që të gjithë, nga presidenti kroat Josipoviq e deri tek kryeministrja Kosor ia kthyen duke thënë se „askush nuk do ta rishkruajë historinë dhe në operacionin “Oluja” i është dhënë fund politikës serbomadhe të Milosheviqit dhe sa më parë ta kuptojnë këtë në Serbinë e sotme, aq më mirë do të jetë edhe për Serbinë“.
Jo vetëm me këtë deklaratë, por edhe me sjelljet e tij rreth Kosovës, raportet e mira me Rusinë dhe izolimin nga vendet kryesore perëndimore, mbështetjen për regjimet e vrazhda në Azi dhe në Amerikën Latine, Tadiq në fakt dëshmon se perceptimi për të është i gabuar dhe ai nuk është një lider i cili paraqet një Serbi të re, krejt të ndryshme nga ajo e Milosheviqit. Në fakt Tadiqi është duke e rehabilituar politikën e Slobodan Milosheviqit. Fakti se në qeverinë e tij ai ka ish-bashkëpunëtorë të ngushtë të Milosheviqit, si Ivica Daçiqin, nuk është i vetmi argument për ta kuptuar se Tadiqi dëshiron të harrohet ajo që ka bërë Serbia e të mos harrohet ajo që është bërë ndaj serbëve.
Të gjitha luftërat në territorin e ish-Jugosllavisë janë nisur nga Beogradi dhe në të gjitha ka marrë pjesë Serbia. Asnjë ushtar kroat, as shqiptar i Kosovës e as boshnjak i Bosnje Hercegovinës nuk kanë sulmuar as Nishin e as Beogradin, as Novi Sadin e mijëra serbë nga Serbia, të përcjellë me lule nga qytetarët, kanë bërë krime ndaj civilëve kroatë në Vukovar, atyre boshnjakë në Srebrenicë dhe shqiptarë në Drenicë. Prandaj asgjë nuk guxon ta vërë në pikëpyetje të drejtën e kroatëve që ta çlirojnë territorin e tyre, të drejtën e shqiptarëve të Kosovës që të mbrohen dhe çlirohen nga aparteidi serb dhe faktin se ndaj myslimanëve në Bosnje është bërë gjenocid. Këto janë fakte historike. Lufta mbrojtëse nuk ka nevojë të mbrohet, ndonëse në Evropë ekziston një simpati ndaj mendimeve se në Ballkan „të gjithë kanë bërë krime ndaj të gjithëve dhe të gjithë kanë faj njësoj“. Duke e ditur këtë Serbia e Tadiqit mundohet t’i tregojë serbët si viktimat më të mëdha të luftërave, si humbësit më të mëdhenj, humbja e të cilëve pikërisht është dëshmuar me „humbjen e Kosovës“.
Fakti se edhe ndaj serbëve janë bërë krime, si në Kroaci e Bosnje, ashtu edhe në Kosovë, kurrsesi nuk mund të përdoret si argument për barazimin e përgjegjësisë për krimet e bëra në territorin e ish-Jugosllavisë. Serbia e sotme në krye me Boris Tadiqin nuk dallon shumë nga ajo e Milosheviqit. Prapa „keqardhjes“ së Tadiqit për krime të bëra ndaj popujve të tjerë duket se nuk qëndron ndonjë ndjenjë e sinqertë, por më shumë është një fushatë politike në kohën kur në fakt Tadiqi rehabiliton politikën e Slobodan Milosheviqit.
E vërtetë është se ndaj serbëve janë bërë krime, si në Kroaci, ashtu edhe në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë. është po ashtu e vërtetë se këto krime të disa individëve kanë njollosur fitoret ushtarake dhe luftën mbrojtëse të Ushtrisë Kroate në Kroaci dhe të UçK-së në Kosovë. Këto krime, si në Kroaci, ashtu edhe në Kosovë, kanë ndodhur në të shumtën e rasteve pas operacioneve ushtarake dhe jo gjatë tyre. Prandaj Kroacia, duke bashkëpunuar me Tribunalin e Hagës, duke i dënuar krimet e luftës në gjykatat e tyre, në një mënyrë sikur Kroacia, ashtu edhe Kosova dhe Bosnja mbrojnë edhe luftën e tyre mbrojtëse. Por kjo kurrsesi nuk bën të kuptohet si pranim të barazimit të përgjegjësisë, sepse krimet serbe, as për nga përmasat e as për nga metodat sistematike të kryerjes së tyre, nuk mund të krahasohen me krimet e tjera, edhe pse secili krim është krim në vete.     

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›