E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mbrojtja e punonjësve të medies nga AMA, Krasniqi: Të mos mbetet akt formal, ja ku konsiston marrëveshja

Kujdesi dhe vëmendja ndaj punës së gazetarëve dhe punonjësve të medies për kushte më të mira pune është në qendër të një memorandumi që Autoriteti i Mediave Audiovizive ka nënshkruar me Inspektoratin e Punës.

Kryetarja e AMA, Armela Krasniqi, e ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, deklaroi se ky memorandum bashkëpunimi ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe zbatimit të legjislacionit për kushtet e punës në sektorin e medieve audiovizive. Sipas marrëveshjes do të organizohen aktivitete informuese, shkëmbimi i informacionit dhe përmirësimi i kuadrit ligjor për mbrojtjen e punëmarrësve, si dhe zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit.

“Inspektorati dhe institucioni ynë ka kompetenca të ndara por secili sipas fushës e përgjegjësisë do kontribuojë për një mjedis më të shëndetshëm mediatik. Kushtet e punës, kontratat e punës kolektive apo individuale, kontratat për gazetarët që quhen ‘freelance’, janë elementë të rëndësishëm për funksionimin e një medie të rëndësishme.

Legjislacioni ynë ligji 97, 2013, nuk flet fare për kushtet e punës apo kontrata pune. Por legjislacioni ynë flet për një mjedis të shëndetshëm mediatik. Për t’u arritur ky qëllim i ligjit është e domosdoshme që institucioni ynë të marrë masat e domosdoshëm.

Në institucionin tonë na ka qëlluar të kemi ankesa, ne kemi një faqe të veçantë që është e lidhur me ankesat e qytetarëve. Ankesat janë të aspektit të përmbajtjes. Në AMA vijnë ankesa nga gazetarët për pagat e vonuara, sigurimet shoqërore të mbartura nga një vit në vitin tjetër, apo heqje nga puna.

Në tryeza të ndryshme që organizojmë me organizata të shoqërisë civile na ngrihen si shqetësime këto fenomene”, deklaroi Krasniqi.

Ajo theksoi se marrëveshja nuk duhet të mbetet thjesht një akt formal, ndërsa sqaroi më tej se ku do të përqendrohet puna mes AMA-s dhe Inspektoratit të Punës. Krasniqi sqaroi se në bazë të sinjalizimeve që do të merren, do kryhen edhe inspektimet e përbashkëta me Inspektoratin e Punës.

“Prandaj ishte e domosdoshme nënshkrimi i kësaj marrëveshje mirëkuptimi dhe kjo marrëveshje nuk duhet të mbetet një akt formal. Të gjithë duhet të kontribuojmë për një gazetari sa më cilësore, duke ju siguruar kushtet e punës, paga dinjitoze dhe një sektor sa më formal përballë ligjit.

Është mbi të gjitha detyrë e Inspektoratit, por ne do kontribuojmë duke shkëmbyer informacion, vizita të përbashkëta në subjekte kur kemi sinjalizime apo indicie të ndryshme.

Në bazë të sinjalizimeve mund të bëjmë inspektime të përbashkëta, do ofrojmë më shumë trajnime për gazetarët, më shumë ndërgjegjësim për vetë gazetarët.

Për të dhënë sa më shumë informacion, ne kemi një buletin të dinamikës së tregut audioviziv.

Ne japim një pasqyrë të dinamikës së tregut dhe brenda kësaj pasqyre do fusim dhe këto elementë: si janë marrëdhëniet e punës, ku respektohen e ku jo, etj,.

Do fillojmë me tryeza të përbashkëta me Inspektoratin dhe gazetarët. Bashkë me Inspektoratin të prodhojmë manuale ndërgjegjësimi për gazetarët, të bëjmë fushata përmes rrjeteve sociale”, përfundoi Krasniqi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›