Zbulohet shtëpi bari në Fier, arrestohet pronari dhe punonjësi i OSHEE

Një rast i kultivimit të kanabisit me llamba në ambientet e një banesë është zbuluar në Fier, ku në pranga kanë përfunduar dy persona.
Gjatë operacionit të koduar “Led”, në pranga u vunë pronari i banesës, Isa Gashi, 63 vjeç, i cili kishte përshtatur atë për kultivim të bimëve narkotike dhe punonjësi i OSHEE-së, Ramis Malaj, 61 vjeç, për shpërdorim detyre.
Rasti u lokalizua në një banesë në fshatin Vadhizë, ku ishte konstatuar një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike, e cila shërbente për furnizimin me energji të pajisjeve si llamba, aspirator, filtra ajrimi etj, që ndihmonin në kultivimin dhe rritjen e kanabisit.
Gjatë kontrollit të banesës, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 41 bimë narkotike Cannabis Sativa, 57 fidanë Cannabisi, një sasi me lëndë narkotike kanabis të përpunuar, 784 fara kanabisi, 5 panele elektrike, 8 llamba për ndriçim dhe ngrohje, 2 filtra, 3 ventilatorë freskues, 2 aspirator dhe 18 pajisje të tjera elektrike të përdorura për kultivimin në ambiente të mbyllura.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/