E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllen në Krujë 17 kamina gëlqerore për shkak të ndotjes së mjedisit

Plot 17 kamina gëlqerore në rrethin e Krujës dhe rrethinat e saj që ndikonin në ndotjen e mjedisit të zonës, tashmë kanë pushuar së  funksionuari.  Në kundërshtim me ligjin, këto kamina  përdornin për lëndë djegëse materiale si goma makinash,  sfungjerë apo mbetje plastike,  duke shkatuar ndotjen e ajrit nëpërmjet shkarkimit të blozës. Masat ligjore ndaj tyre,  janë marrë pas afro 6 muaj hetimesh të  realizuara nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor,  Krujë. Në një prononcim drejtuesi i kësaj Prokurorie, Flori Binjaku, bëri të ditur  se,  me përfundimin e hetimit,  organi i akuzës kërkoi procedimin gjyqësor për 17 subjekte që ushtronin aktivitet në këtë fushë në kundërshtim me rregullat ligjore. Sipas Binjakut, mbështetur në  materialet hetimore të prokurorisë, Gjykata e rrethit ka shpallur  fajtor dhe dënuar poseduesit e kaminave gëlqerore,  përgjithësisht me gjoba që  varjojnë nga 4 deri në 6 milion lekë të vjetra. Por, këto procese janë shoqëruar edhe me masa të tjera  ligjore, tha Binjaku duke treguar se,  me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata ka marrë vendime për shkatërrimin e kaminave të dëmshme për mjedisin. Procesi në fjalë, mësohet se  po ndiqet nga Zyra e Përmbarimit Gjyqësor.  Për Binjakun,   masat  ligjore të ndërmarra  kanë sjellë rezultate pozitive.  Ndërsa,  prokuroria është e angazhuar  për të ndëshkuar aktivitetet e paligjshme në këtë fushë.  Hetimet për këtë çështje të  hapura nga Prokuroria e rrethit Krujë, u  mbështetën  nga specialistë të mjedisit, Institutit të Higjenës dhe Shendetit.  Rezultatet e hetimit treguan se, ndotja e ajrit në zonat përreth Kaminave Gëlqerore ishte mbi normat e lejuara nga legjislacioni mjedisor. Hetimet u shoqeruan me  kqyrjen e gropave  gëlqerore,  fotografimin e tyre,  sekuestrimin e lëndëve djegëse që përdoreshin në to si dhe analiza të shumta për cilësinë e ajrit .  Për llogari të hetimit,  forcat e policisë shoqëruan disa nga  pronarët e subjekteve private që ushtronin aktivitet në mënyrë të paregullt. Problemet e  ndotjes së ajrit,  si vepra të denueshme në legjislacionin shqiptar, ndikojnë  negativisht si në shëndetin e komunitetit edhe në prishjen e ekuilibrave të  sistemit natyror.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›