Mbi do çështje të historisë
Ç’është historia nëse jo, thënë figurativisht, një kamerë narrative që marshon kohës dhe hapësirës me një arrogancë selektive të bezdisshme. E zakonshmja s’mund të jetë kurrë pjesë e historisë dhe njeriu i rëndomtë as që merr pjesë në bërjen e historisë, aq sa e bën historinë një shitës perimesh në tregun e gjelbër. Kur e zakonshmja kalon një proces mutacioni dhe kthehet në përçudnim, kur shitësi i pemëve rrëmbehet nga tezgjahët me zarzavate dhe bëhet një numër në turmën anonime që palohet në mënyrë kafshërore, jo nga inercia e vullnetit të lirë por nga dhuna e autoritetit, në një tren deportues drejt një hollokausti të radhës, atëherë historia vihet në lëvizje. Mbajmë mend se mbas Marrëveshjes në Jaltë, disa kombe evropiane patën vjelë një kënaqësi mjaft përmbushëse nga rrjedhat historike. Psikologjikisht, çdo fitore mbas humbjes, sado e vogël, shënon një ngritje kualitative. Kur s’bëhet më keq, bëhet më mirë. Ndërkaq të kalosh nga humbja në humbje nuk është as status quo në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, por më shumë një status i ri i pakënaqësisë. Ose një pakënaqësi e vjetër me një status të ri. Shqiptarët janë ndarë të pakënaqur për shumë arsye. Një histori, shumë perceptime. Këndej rrjedh dimensioni paksa poetik dhe mitik i historisë, kur asaj i ngjiten mbiemra si “e lavdishme” dhe “e palavdishme”. E njëjta histori, e moralshme dhe e pamoralshme njëkohësisht, e drejtë dhe e padrejtë njëkohësisht, varësisht a është fjala, për shembull, për perceptimin anglez apo shqiptar. Prandaj ka më shumë se një mënyrë interpretimi në leximin e historisë. Publicistika ditore ka po ashtu fazonin e saj të interpretimit të historisë dhe rëndom nuk e ka të vështirë të shënojë datat me “rëndësi historike”. Është e pamundur të lypësh llogari dhe aq më pak ndonjë përgjegjësi morale për përdorim fjalësh të mëdha, sidomos kur ato vihen në kontekste abstrakte dhe duken të padëmshme, gati nonsense, dokrra. Është folur shumë për ngjarjet me rëndësi historike, si për shembull për pavarësinë e Kosovës. Disa e quajtën “Newborn” rrëshqitjen nga ideali historik drejt një kompromisi për nevoja pragmatike. Kjo kurrsesi nuk e bën më pak historike shpalljen e pavarësisë së Kosovës, por vetëm ngaqë pavarësia si ide është dukur për shumë kohë e pamundur dhe e largët.
Çështja e volumit të idesë hapet vetëm atëherë kur ideja është realizuar, si në rastin e Kosovës, vetëm pjesërisht. Prandaj, diskutimi i metrikës është i domosdoshëm. “Dhurata e lirisë” për vetëm një pjesë të kombit s’mund të jetë veçse e pjesshme, paksa e pikëlluar dhe historikisht më pak madhështore sesa fjala vjen, ribashkimi i shqiptarëve në një shtet. Ka akoma diçka mitologjike në këto punë. Fakti që në diskursin tonë përvidhen përshkrime “mitike” të historisë, si fjala vjen e lavdishme ose madhështore, tregon se ideali s’është arritur. Në rrafshin pragmatik vlejnë ende fjalët e famshme të Madelaine Albrightit mbi lirinë e pakufishme të shqiptarëve për të fantazuar. Deri më sot, pavarësia e mbikëqyrur e Kosovës dhe mungesa e sovranitetit të plotë, megjithëse fakte historike të shënuara, nuk e kanë ekstraktin e një historie të lavdishme. Implikimi i “përmasës historike” në këto punë është mjaft diskutabil, derisa sintagmat pompoze si “ngjarje historike”, “përmbushje historike”, etj. më shumë ofrojnë një kënaqësi linguistike sesa që përshkruajnë një gjendje reale. Kthimi i idealit në retorikë të vetëkënaqësisë ishte një trend politik shqiptar në vitet nëntëdhjetë kur Kosova quhej e pavarur dhe pavarësia ishte më shumë një domosdoshmëri gjuhësore për apatinë e ndërgjegjes kombëtare. Asokohe gjuha glorifikuese ishte një armë e fuqishme e rezistencës në duart e idealit, kurse sot mund të jetë një gjeneruese eufemizmash për mashtrimin, për kënaqjen me pak dhe rrjedhimisht një fanfarë gjuhësore e “pragmatizuar” kundër idealit. Do të pëlqenim një implikim tjetërsoj të historisë në këto çështje, por për momentin mund të flasim vetëm për një rrenë me përmasa historike. Rruga nga rrena drejt një satisfakcioni të plotë historik do të kalojë, të përdorim një shprehje më të butë, përmes një rrjeti të ngatërruar “administrativ”. Në kohërat e lashta të heroizmit dhe të lavdisë, zgjedhjet kanë qenë rigorozisht të kursyera. Rruga e luftës ose rruga e plebejizmit. E para e lavdishme, e dyta e palavdishme dhe e turpshme sepse përmbys vullnetin për liri, pështyn idealin, në fytyrë, troç. Në qoftë se historia ka “ecur” aq larg sa për ta bërë qesharake frikën prej plebejizmit, atëherë një vetëkënaqësi rehatuese brenda iluzioneve historike mund të duket mjaft njerëzore. Çështja është ndërkaq se sot plebejizmi mund të administrohet me mjete “demokratike” dhe ”ligjore”, ashtu që të dehurit nga rrena e fortë historike mund t’i thonë përsëri po, siç do të thoshte Benedetto Croce, skllavërisë dhe mizerjes.