E Diel, 1 Nëntor 2026

Pashk Përvathi

Piktori i ngjyrave të vjeshtës

I kujtohet se një ditë, kur ishte gjashtë vjeç, në klasën e parë fillore, babai sjell në shtëpi një piktor nga Tirana i cili realizoi portretin e tij. Të nesërmen, fëmija Pashk Përvathi e shihte i mrekulluar atë portret. Ndodhi ashtu edhe ditë të tjera derisa vendosi ta imitonte. Më pas nisi të vizatonte gjyshen dhe objekte të tjera rreth e rrotull shtëpisë. Vijoi me vizatimet në shkollë, jo vetëm të tijat, por edhe të shokëve... Kur babai shkonte në Shkodër, e pyeste: çfarë dëshiron të të sjell? E ai menjëherë përgjigjej: “Lapsa ngjyrash!”. U formua kështu piktori Pashk Përvathi, njëri ndër piktorët më aktivë në skenën e artit figurativ shqiptar. Me plot 30 ekspozita të realizuara brenda dhe jashtë Shqipërisë

Punës do t’i kthehet sërish në vjeshtë... do të hedhë në tablo ngjyrat e stinës së tij të preferuar. Tani është shumë entuziast dhe i emocionuar prej ekspozitës që prej pak ditësh është çelur në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Kjo është e treta ekspozitë e piktorit lezhjan, Pashk Përvathi, çel në GKA gjatë karrierës së tij. Ka ekspozuar plot 60 vepra, të cilat janë krijuar në harkun kohor të tri viteve (2007-2010). Peizazhe nga vendlindja e tij Lezha, nga Shkodra, nga bjeshkët shqiptare, Berati e Durrësi e mbi të gjitha nga Korça vijnë për publikun përmes ngjyrave tejet ndjellëse të piktorit. Po kaq bukur e kaq ndjeshëm vijnë edhe një cikël portretesh, të ekspozuara për herë të parë në një ekspozitë të këtyre përmasave. Gjen aty ciganet, imazhe femërore me veshje tradicionale prej zonës nga Pashk Përvathi vjen e portreti i një figure të rëndësishme siç është ai i at Zef Pllumit. “Ndihet një lloj larmie tematike në këtë ekspozitë. Për herë të parë, unë ekspozoj një cikël me dhjetë portrete dhe një cikël me natyrë të qetë, çka nuk kanë qenë në stilin tim si piktor. Kisha dëshirë që këtë dimension timin ndryshe, t’ua tregoja kolegëve të mi dhe artdashësve, sepse vjen një moment që artisti mendon me veten e tij se edhe me një lloj tjetër gjinie mund të komunikojë me ta. Ndërkaq, si tematikë, në këtë ekspozitë përfshihen të katërta stinët në vendet më piktoreske të vendit tonë”, thotë piktori lezhjan. Për realizimin e këtyre pikturave, ai ka shëtitur nëpër Shqipëri për të gjetur peizazhin e duhur, atë të virgjrin, të paprekurin nga dora e njeriut. Ka qenë (dhe vazhdon të jetë) në kërkim të ndjesive pozitive artistike dhe ngjyrave, emocione të cilat piktori i ndien të nevojshme t’ua përçojë edhe vëzhguesve të veprës së tij. “Ngjyrat janë pjesë e temperamentit të artistit. Gjithsecili brenda shpirtit të tij bën zgjedhjen e vet. Unë duke qenë piktor i vjeshtës, i peizazheve, ato më kanë krijuar një gjendje dhe një pasuri koloristike të madhe në shpirt. Unë nuk mund të bëj ndryshe, natyra është e tillë, gjithë ngjyra. Ato të bëjnë entuziastë, të ndihesh mirë, të mendosh se jeta është e bukur dhe duhet jetuar sidomos kur ajo gërshetohet me peizazhe të bukura”, thotë ai. Duke qenë piktor peizazhist, Pashk Përvathi nuk përpiqet që të sjellë ide e mesazhe të mëdha, por synon të sjellë ndjenjën e së bukurës. Kërkon me këmbëngulje që njerëzit të ndihen mirë para pikturës së tij, të marrin të njëjtën kënaqësi emocionale si edhe ai kur e ka krijuar. Gjithnjë ka ndier dashuri për peizazhin. Një lloj lidhjeje që ka nisur herët te ky artist. Qysh në fillimet e veta, atëherë kur studioi në shkollën e mesme në Tiranë, edhe më pas, kur nuk arriti dot të ndiqte Akademinë e Arteve, ai iu kushtua kësaj gjinie. Edhe pse i padiplomuar ende, Pashk Përvathi merrte vazhdimisht pjesë nëpër ekspozitat kombëtare. Ndodhi pikërisht në njërën prej tyre, ku paraqitej me veprën e titulluar “Vjeshtë në Manati” që u bind, mori forcë dhe krijoi mendimin se duhej të vazhdonte të ndiqte këtë gjini. Ai peizazh më dha shumë forcë dhe më krijoi mendimin se duhej të vazhdoja me trajtimin e peizazheve. Ishte 21 vjeç atëherë. Më vonë, duke punuar, duke ekspozuar vazhdimisht ndodhi që ra në vëmendjen “e njerëzve të mirë” siç i quan Pashku. Ata ishin Petro Kukushta, Kujtim Buza dhe Anastas Kondo. “Që të tre bashkë më kanë marrë prej dore dhe më kanë thënë se duhet të vija në Akademinë e Arteve dhe duhet të vazhdoja studimet e larta”, kujton piktori që në atë kohë ishte 28 vjeç, i martuar e baba i dy fëmijëve. Dita kur shkeli në Akademi ishte e mrekullueshme për të. E quan ditën e ndryshimit të jetës. Studioi, rrëmbeu prej aty dijet e nevojshme, ia bashkëngjiti atyre që kishte dhe vijoi më tej suksesshëm rrugën drejt pikturës.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›