E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbyllet Uzina Mekanike, 3 vjet pa paguar sigurimet e punëtorëve

Autori i Lajmit: Entela Duraj
Uzinës Mekanike në Elbasan i është vënë kyçi nga tatimorët. Shkak është bërë abuzimi me kontributet shoqërore të punëtorëve, të cilat nuk ishin paguar për tre vjet me radhë. Rreth 56 punëtorë të saj kanë mbetur tashmë pa punë. Sipas burimeve nga Dega e Tatimeve në Elbasan, mësohet se kjo e fundit bllokoi mesditën e djeshme Uzinën Mekanike sh.a, pasi prej 3 vjetësh nuk ka paguar kontributet shoqërore për 56 punëtorët e saj, me një vlerë debitore prej 17 milionë lekësh. Shefi i Degës së Tatimeve, Skënder Daja, bëri të ditur dje se kjo ndërmarrje, që ushtron aktivitetin prej më shumë se 10 vjetësh, është një nga debitoret më të mëdha të degës së tatimeve. Ai sqaroi se drejtuesve të uzinës u ishte lënë nëntë muaj afat për të shlyer këto detyrime, por ata nuk morën asnjë masë, derisa u detyruan që të mbyllnin aktivitetin. Uzina Mekanike, e cila ndodhet në ambientet e ish- Kombinatit Metalurgjik, u bllokua para nëntë muajsh dhe dega e tatimeve i la këtë afat kohor, me qëllim që drejtuesit të shlyenin shumën në fjalë. Por sipas gjasave, as 9 muaj nuk kanë mjaftuar që kjo ndërmarrje të ishte në rregull me ligjin duke paguar kontributet shoqërore të punonjësve të saj.
Ky lajm është publikuar: 23/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›