E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eurovizioni - karnavalja kulturore e Evropës

Kritikët e gjendjes, në të cilën ndodhet Festivali Evropian, mendojnë se ka mbetur vetëm një gjë për të bërë. “Gjëja më e mirë që mund të bëjmë është moszhvillimi i tij”, - tha një vëzhgues anonim. “Festivali është kthyer në një maskaradë. Këngët ta shpifin dhe vendet fqinje votojnë për njeri-tjetrin.”

E shkuara me vlerë ka marrë fund, kur anglishtja nuk ishte gjuha dominuese dhe gara e Eurovizionit ishte vërtetë garë – kur gara ishte më shumë për kompozimet muzikore dhe tekstet e këngëve dhe më pak për vulgarizmat dhe kostumet.

Festivali i parë evropian u zhvillua në Lugano të Zvicrës më 1956. Lyss Assia, e Zvicrës, nuk e la trofeun të dilte nga vendi i saj. Asokohe morën pjesë vetëm shtatë vende dhe nga fundi i viteve ‘60 fesivali nisi të kthehej në ngjarje të madhe.

Kohë pas kohe, fesivali kthehej edhe në një makth politik – siç ishte fitorja e Spanjës në vitin 1968, ndërsa diktatori Franko ishte ende në pushtet. Edhe sot, këngëtarja Massiel, e cila faktikisht quhet Maria de los Angeles Santamaria Espinosa, vazhdon të jetë heroinë në vendin e vet – tek e fundit ajo i rrëmbeu çmimin Cliff Richards të Britanisë së Madhe.

Autorët e një dokumentari spanjoll kohët e fundit lanë të kuptohej se Franko mund të kishte ndihmuar me ndopak manipulim. Ndërsa për dyshime të tilla nuk ka fakte, sistemi i votimit të Eurovizionit vazhdon të jetë kundërshtues, ngaqë shtetet e harrojnë idenë e madhe evropiane, kur u vjen rasti të zgjedhin këngën e tyre të preferuar.

Vendet fqinje nuk ua kursejnë pikët njëri-tjetrit – sidomos ish-anëtarët e Bashkimit Sovjetik dhe Traktatit të Varshavës, si edhe shtetet e ish-Jugosllavisë, të cilat duket se kanë harruar – të paktën në lidhje me festivalin – se deri pak kohë më parë ata ishin në luftë mes tyre.

Zyrtarët e Eurovizionit janë përpjekur ta zgjidhin problemin me rregulla të reja: dy gjysmëfinalet e sivjetshme, që u mbajtën të martën dhe të enjten para finales, synonin të parandalonin votimin në bllok duke i ndarë fqinjët.

Tek e fundit ajo mendohet të jetë një garë paqësore dhe vetëm paqja mund të çojë në fitore – siç e vërteton fituesja e vetme e Gjermanisë, Nikola. Në vitin 1982, ajo i bëri gjermanët krenarë, duke fituar me “Pak paqe”.

Megjithatë, e vetmja këngë e famshme që ka dalë nga festivali evropian është “Waterloo” e grupit suedez ABBA, më 1979. Ajo ishte pikënisja e lavdisë së grupit në skenën botërore – diçka që askush tjetër nga pjesëmarrësit në Eurovizion nuk e ka realizuar më deri tani.

Arsyeja kryesore e metamorfozës së festivalit të çuditshëm të kthyer në skenë performuesish që të acarojnë ishte vendimi për të hequr traditën e jurive profesioniste nga të gjitha vendet për të votuar fituesit. Në vend të saj, procesi u hap për të gjithë popullsinë që të votojë përmes telefonit.

Nga njëra anë, kjo çoi në rritjen e teleshikuesve. Nga ana tjetër, kjo iu dha fund zonjave të bukura e serioze dhe meshkujve të pashëm që këndonin këngë të mrekullueshme. Ata u zëvendësuan nga meshkuj të veshur si stjuardesa, gjyshe me daulle, kërcimtarë të egër veshur me meshin dhe rokistë monstra nga Finlanda.

Sivjet nuk ka për të qenë ndryshe. Finlandezët me klithma po kthehen, Franca mund të rrëshqasë, duke kënduar në anglisht dhe Irlanda po dërgon një kukull.

A do të jetë kjo status quo-ja e përhershme? Ndoshta jo: fituesja e vitit të shkuar, Marija Sherifoviç e Serbisë, ishte goxha normale krahasuar me pjesën ekstravagante.

Fatëkeqësisht, për të arritur sukses nuk ka ndonjë formulë sekrete dhe Gjermania, bie fjala, është përpjekur për dekada të mos renditej në shkallët e fundit vit pas viti. Vitin e shkuar disa këshilluan që Gjermania duhet t’i kërkonte shkrimtarit të njohur Botho Strauss të kujdesej për tekstet e këngëve dhe të gjente një transseksual provincial që mund të fyente shtetet ballkanike. Gjermanët nuk e morën parasysh këtë këshillë dhe po dërgojnë në Beograd një grup vajzash të quajtur “No Angels”. Kënga e tyre, “Disappear” (Zhdukje) – një titull aspak optimist, por që mund të mjaftojë për të bërë kthesën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›