E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllet fabrika e këpucëve grate e Pukes pa punë

Punonjëset dje bënë me dije për "Gazeta Shqiptare" se, tashmë shpresat e tyre për rifillimin e punës janë shuar, pasi vetë drejtuesit e fabrikës u kanë komunikuar mbylljen e aktivitetit. Fabrika u inagurua nga Berisha ne 2007-en 

PUKË - Që prej katër muajsh, fabrika e këpucëve, e cila u inaugurua me bujë të madhe nga kryeministri Sali Berisha gjatë fushatës për zgjedhjet lokale në vitin 2007, ka mbyllur dyert. Plot 120 gra dhe vajza të qytetit të Pukës kanë mbetur pa punë. Punonjëset dje bënë me dije për "Gazeta Shqiptare" se, tashmë shpresat e tyre për rifillimin e punës janë shuar, pasi vetë drejtuesit e fabrikës u kanë komunikuar mbylljen e aktivitetit. Ndërkohë, banorë të qytetit verior pohojnë se qeveritarët nuk mbajtën premtimin e bërë dy vjet më parë. Sipas tyre, gjatë ceremonisë së inaugurimit të hapjes së kësaj fabrike, Berisha deklaroi se ajo do t'i jepte start zhvillimit të qytetit dhe uljes së papunësisë. Mësohet se pronari i fabrikës (një sipërmarrës nga Shkodra), mik i kryeministrit, të paktën i prezantuar si i tillë nga vetë kryeministri kur ai inauguroi çeljen e biznesit, nuk është rikthyer në Pukë prej disa muajsh. Askush nuk bën të ditur shkaqet që quan në mbylljen e kësaj fabrike, drejtuesit e të cilës u subvencionuan disa herë nga Ministria e Punës për nxitjen e punësimit. Drejtuesit lokalë në Pukë shprehen se shfrytëzuan të gjitha hapësirat ligjore për të lehtësuar këtë biznes, që do të ndihmonte në zhvillimin ekonomik të qytetit. Mbyllja e fabrikës së këpucëve ka shkaktuar vështirësi për shumë familje të qytetit të Pukës. Mësohet se vetëm disa punonjëse kanë përfituar ndihmë ekonomike. "Qyteti është i zhytur në varfëri të plotë. Mbyllja e fabrikës vetëm sa shton skamjen", - thonë banorët e Pukës.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›