Mbyllet hetimi për avokatin Hysni Beti

Mori para nga klienti me pretendimin se do paguante gjyqtarin që do ta lironte nga burgu
TIRANÃ- Task-Forca e prokurorisë së kryeqytetit, mbylli hetimet dhe dorëzoi pranë togave të zeza dosjen penale në ngarkim të avokatit Hysni Beti, tashmë i pezulluar nga ushtrimi i profesionit me vendim të Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të institucionit të akuzës, ku prokurori Olsi Dado, pas hetimeve gati dy mujore, vendosi dërgimin e dosjes në gjyq duke ngritur zyrtarisht ndaj avokatit Beti akuzën e "Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike".
Sipas kërkesës për gjykim të prokurorit Dado, avokati Beti ka përvetësuar rreth 2 milionë lekë të vjetra nga kallëzuesi E.Zeneli., që ia kishte kërkuar për pagimin e gjyqtares së masave M.D. dhe prokurorin e çështjes K.A. "I pandehuri Hysni Beti, edhe pse i kishte kërkuar dhe marrë paratë nga kallëzuesi Zeneli dhe e dashura e tij E.P. për t'ia dhënë gjyqtares dhe prokurorit, këta të fundit s'kishin dijeni për këtë fakt",-thuhet në dosjen e prokurorisë.
Dosja tashmë ndodhet në kryesekretarinë e Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, ku pritet hedhja e saj në short për caktimin e treshes gjykuese të çështjes.
Avokati Beti, i hetuar në gjendje të lirë, nuk pranoi akuzën. Ai ka pretenduar se paratë i kishte marrë për punën që do bënte si mbrojtës ligjor. Për kundër kësaj prokurori Dado, në kërkesën për gjykim, ka renditur një sërë përgjimesh ambientale dhe telefonike, ku Beti i kërkonte kallëzuesit paratë për të paguar gjyqtaren dhe hetuesit e çështjes
"Historia nis mbrëmjen e 25 shtatorit 2010, kur efektivët e policisë shoqëruan kallëzuesin Zeneli në komisariatin nr.2, dhe ngritën ndaj tij akuzat e "kundërshtimit të forcave të rendit" dhe "goditjes për shkak të detyrës".
Me arrestimin e Zenelit e dashura e tij fundit me inicialet E.P, nëpërmjet një miku të saj, kontaktoi me avokatin Hysni Beti, duke i kërkuar të mbronte të dashurin e saj. Avokati Beti ra dakord që të kryejë mbrojtjen për 50 mijë lekë të reja, që nuk i është dorëzuar ditën kur i arrestuari Zeneli ka dalë para gjykatës. Gjyqtarja e masave, M.D. vendosi lirimin e Zenelit, me masën e sigurisë "detyrim për paraqitje". Pas lirimit, kallëzuesi dhe e dashura e tij, E.P takuan avokatin, që iu kërkoi 50 mijë lekët për lirimin e tij.
Ai i tha se i kishte premtuar gjyqtares M.D. 50 mijë lekë të reja për lirimin e Zenelit dhe ai duhej ta paguante. Klienti denoncoi në polici avokatin dhe në vëzhgimin e oficerëve i dorëzoi atij paratë. Më pas, sërish Beti i kërkoi edhe 150 mijë lekë të reja për t'ia dhënë prokurorit K.A. dhe hetuesit për mbylljen e dosjes. Në momentin që Zeneli dorëzoi lekët, avokati u arrestua në flagrancë,- thotë prokurori Dado, në dosjen e dërguar në gjykatë.