E Diel, 1 Nëntor 2026

Baxhaku: Mos u besoni rojeve të Syrit të Keq

Gazetari Fatos Baxhaku prezanton një kërkim antropologjik në simbolet primitive që rishfaqen në epokën e modernitetit shqiptar


Nga dje është në qarkullim "Roje, besëtytni shqiptare në shekullin XXI. Një rrëfim përmes fotosh". Autori, Fatos Baxhaku, gazetar, dokumentarist televiziv dhe i shtypit, me një album fotografik tematik prezanton një kërkim në kufijtë antropologjik, në një terren ku ndërtohet dhe zhvillohet, terren që "shpreh" nevojën të ketë armët e veta mbrojtëse ndaj Syrit të Keq që përgjon njerëzit t'iu shkasë këmba.


Rojet e shtëpive, dordolecët modernë dhe jeta e tyre majë çative, si kukulla shamanike që njerëzit do donin t'i lidhnin dhe njëherësh t'i zgjidhin nga forcat tejnjerëzore, janë subjekte në fotografitë të Baxhakut.


Mbrëmë në prezantim, në Universitetin Evropian të Tiranës, një nga botuesit, Baxhaku tha: "Ky libër ka lindur disi nga frika që kam unë, besoj e kemi të gjithë bashkë, dhe nga ideja që dikush duhet të na mbrojë në këtë botë. Kërkesa për t'u mbështetur diku, për të patur besim diku, është një ndër gjërat më të mëdha që ka njeriu, qoftë kjo dhe e sajuar, sikur është rasti i krijesave që ju do shikoni në këtë libër.


Etja për të patur besim në një ideal, te një njeri, në një histori, në një vend, e kështu me radhë, më ka shtyrë për të bërë këtë punë që u mbështetën pastaj nga një grup i madh njerëzish e shokësh. Kështu që duhet të keni besim por mos u besoni këtyre që shihni në fotot e librit se nuk ju mbrojnë."


Duke rrahur në udhëtim Shqipërinë, zonat tejurbane të saj, në disa vjet ai ka përpunuar këtë temën e rojeve të shtëpive, të bizneseve, shumë të përdorur dikur, jo me këtë "modë" si sot, edhe si roje ugaresh.


Në parathënie ai tregon për njohjen me burime të shkruara e të pashkruara që lidhen me tradita të njohura të mbrojtjes që kërkon njeriu në sende të animuara, po edhe me tradita fare pak të njohura të përdorura në mjedisin shqiptar, si riti i ekzorcizmit.


Objektet kundër syrit të keq, "sikurse do të keni mundësinë të shihni në fotot që vijojnë" shkruan autori në parathënie, shënojnë rikthim të besimeve fetare dhe bashkë me to edhe deklarimin hapur i besëtytnive, "më pas hapja e Shqipërisë me tregjet e huaja, kanë sjellë ndryshime jo vetëm në përmbajtjen e mjeteve të luftës kundër Syrit të Keq, por edhe në teknologjinë e sajimit të tyre".


Persida Asllani, autorja e pasthënies "Albumi tradhtar i Baxhakut" theksoi shkurt në prezantimin e djeshëm se "këtë botë të tretë që Fatosi është përpjekur ta sjellë në 5 vite punë, në një farë mënyre ai e tradhton.


Pasi e ka prekur dhe e ka parë, e bën atë të dukshme një botë që për ne çuditërisht është e padukshme, pavarësisht se duhet ta vinim re".


Henri Çilit, në këtë rast botuesi, seria e fotove të "Rojeve..." i thotë se me gjithë modernizimin e jetës dhe botës shqiptare "gjërat nuk kanë ndryshuar aspak".


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›