Hetimi i kutive në Shkodër, Topalli: Rama të kërkojë falje
TIRANÃ- Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka shpërthyer në akuza ndaj liderit të PS-së, Edi Rama, duke iu referuar vendimit të prokurorisë për hetimin e zgjedhjeve në Shkodër.
Duke folur në seancën e sotme plenare, ajo deklaroi se hetimi tregoi edhe njëherë se zgjedhjet ishin më të mirat të mbajtura ndonjëherë.
"Edi Rama prej 6 muaj u përpoq me të gjitha mënyrat që t'ju mbante larg Parlamentit.
Këto janë zgjedhjet. Pse nuk shkoi njëherë në prokurori, në gjykatë? Pse nuk shkoi sepse humbi. Nuk shkoi se ishte kundër liberalizimit të vizave" tha Topalli.
Pak ditë më parë, Prokuroria e rrethit Shkodër ka hapur pesë kuti votimi të kontestuara nga Partia Demokristiane dhe ka deklaruar se në to nuk kishte asnjë shkelje ligjore. Hapja e kutive është bërë pak ditë më parë, rreth 27 muaj pas procesit të votimit, dhe pa praninë e asnjë nga palëve të interesuara.
Ndërkohë, Nard Ndoka deklaroi për Shekullin se "hapja e kutive është bërë 27 muaj pas ankesës dhe pasi më parë kutitë janë manipuluar nga KQZ".