E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllet në Vlorë sipari i Festivalit Teatror të Monodramës

Mbyllet në Vlorë sipari i Festivalit Teatror të Monodramës

TEATËR NË DITË TË NXEHTA

Nga MIHO GJINI

clip_image002Është e vështirë të merresh me teatrin kur atmosfera e kohës është e mbarsur me një lojë teatrore! Bëhet TEATËR gjithandej në jetën e përditshme shoqërore, në politikë dhe brenda vet këtij Tempulli të Artit që vërtitet në kufijtë e ekzistencës dhe të mosekzistencës!
E megjithatë ka pushtetarë që e vlerësojnë atë dhe vënë dorë për ti mbajtur të ndezura dritat e skenës, të cilat janë dhe mbeten dritësime nga vet realiteti , nga jeta që lëvizë pareshtur dhe që, jo pak herë, e mbërthejnë ngërçet e politikës deri në marrje fryme!
Kryetari i Bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika midis Mjeshtërit të Madh Miho Gjini dhe Artistit të Popullit Albert Verria
Kryebashkiaku në Vlorë, Shpëtim Gjika është e katërta herë që e hap sezonin turistik në qytetin e vet me një edicion artistik që ka të bëjë me teatrin. Duke i ftuar trupat teatrore nga të gjitha trevat shqiptare (në Kosovë e Maqedoni), nëpërmjet një menaxheri fort të zellshëm e me vizion si kundër është aktori Ilirian Ali, Ai i shton Vlorës Turistike, një vlerë më tepër. Në sallën e Teatrit Petro Marko, ku më shumë bëhen mbledhje e takime politikanësh se sa teatër, këtë here erdhën tetë trupa artistike të teatrit që lanë gjurmë dhe e gjallëruan qytetin në këto ditë të nxehta (të parakohshme)
Le të themi qysh në fillim se larmia e repertorit solli edhe një larmi në trajtimin artistik, me ato mundësi që ofron teatri ynë, me mjetet e veta shprehëse. Edhe kur vëmendja i ishte drejtuar repertorit te djeshëm (me Dostojevskin, Ibsenin dhe Gogolin), edhe kur e sotmja qe vendosur si Lëndë e pare pasqyrimi , skena e këtij festivali dha mesazhe fort të ngrohta që kanë të bëjnë me të ardhmen
Një i çmendur që do të bëhet mbret (Ditari i një të çmendur, i Gogolit) dhe trazon mendjen e bashkëkohësve; një njeri i zakonshëm i gëlltitur nga krokodili (Një ngjarje e jashtëzakonshme e Dostojevskit), i cili e ndjen veten më mirë në barkun e kafshës, larg cinizmit të botës që e ka rrethuar më parë; një grua e trajtuar si kukull në duart e të tjerëve (Nora e Ibsenit), e cila kërkon të emancipohet në rrethana mbytëse; Dhe, më në fund një hero i mitologjisë greke si Prometheu që i vodhi Zeusit zjarrin për tua dhënë njerëzve . (Prometeu i Eskilit, i përshtatur për kohën nga Ymer Shkreli, në një dramatizim të Salajdin Saliut), duke u vendosur si figurë në të kundërtën e vet, me revoltën ndaj realitetit të sotëm, me një zjarrëvënie të botës së deformuar, krijojnë atë urë komunikimi midis dy realiteteve, që i duhet publikut të ditëve tona, si njohje , po edhe si refleksion i vetëdijes njerëzore Pa vështruar anët e errëta të botës e të shoqërisë së djeshme, është e pamundur ndërtimi i së ardhmes. Ja që teatri e ka mundësinë e shprehjes, në trajtën më konçize, të këtyre mesazheve universal Po, edhe kur tematika e repertorit i përgjigjet drejtpërsëdrejti aktualitetit, shigjetimet që dalin nga skena e teatrit , janë jo vetëm goditëse, po edhe tingëllojnë si rrahje kembane në ditë zie.. Rrëfimet e At Zef Pllumbit, të përshtatura nga dramaturgu Bashkim Hoxha, të cilat evokojnë torturat që u bëheshin të përndjekurve politik nga komunizmi; Refleksioni i Ramadan Oracës për të zhdukurit e Kosovës gjatë dhunës serbe, si edhe përshtatjet nga realiteti i sotshëm shqiptar, ende i pastabilizuar, i cili shkakton edhe deformime në karakterin e fatin e njerëzve, (të paraqitura bukur nga Xhevdet Baraj ne monodramën Vrasja e mushkonjës ), që të gjitha bashkë , e plotësojnë më së miri tabllon reale të rrugëtimit të gjatë e të vështirë që kanë bërë (e bëjnë) shqiptarët për të shëruar plagët ende të pambyllura dhe për ta rindërtuar jetën e tyre Dimensionet e një epoke dhe të një realiteti shoqëror, më mirë se kudo, mund të sintetizohen e të shprehen, më gjallërisht, vetëm në atë hapësirë të vogël që quhet SKENA E TEATRIT.
Po gjithë këtë panoramë, të dritësuar, të efektshme, përherë ne lëvizje dhe me emocione të drejtpërdrejta mund ta japin vetëm aktorë e regjisorë të talentuar.. Festivali Teatror i Vlorës, nëse pati një variacion në gjini, në trajtime skenike e në mjetet shprehëse , nënkupton një punë inspiruese nga ajo figurë që në skenë nuk duhet: nga regjisori, i cili e shprehë krijimtarinë e vet nëpërmjet artit të aktorit dhe të atij terreni që ka parashtruar dramaturgu. Një regjisor si Donard Hasani bën të mundur që ti japë jetë skenike një teksti letrar,i cili më tepër afron nga publicistika. Regjisori Luftar Veshi ka fantazinë krijuese që të operojë brenda barkut të krokodilit e të krijojë ato imazhe e ndjesi që afrojnë me jetën jashtë.;Regjisori Ekrem Xani e pasuron skenën me një alternim artesh (atij skenik , me artin kinematografik), për ti dhënë dimensione gjithëpërfshirëse ndryshe, si legjendës ashtu dhe jetës reale, Regjisori Agron Gërguri , me një stil meditativ,të figurshëm , ballafaqon të dy pamjet e tragjedisë shqiptare, kur dhimbja është ende e pashërueshme.
Nëqoftëse ky festival evidentoi dy interpretime të shkëlqyera aktorësh , si ai i Ismet Azemit ne monodramën Vrasja e mushkonjës dhe të Zdravko Stoimirovit te Ditari i një të çmenduri, nuk do të thotë që edhe interpretues te tjerë nuk patën vlera. Po, një a dy, do të dalin përherë si fitues në garë dhe përmendëm dy, ngaqë ishin thuajse në afërsi të barabartë dhe që të dy të fuqishëm me artin e tyre: Ismet Azimi i Teatrit Kombëtar të Prishtinës e shprehu fatin e një qytetari pa emër, moshë e profesion , me një individualitet të spikatur, plotë gjallëri e forcë satirizuese , që përkon me një gjallëri te tërë njerëzish, të cilët i përplas jeta nëpër qoshe e skuta , ku stë lënë rehat as mushkonjat! Ndërsa Zdravko Stoimirovi i Teatrit të Bitoljes, me një interpretim brilant, me ekspresione të fuqishme dha fatin e një nëpunësi të vogël, thuajse të çmendur , që lakmon të ngjitet në hierarkinë ë shtetit (njëherësh edhe në atë të krimit).
Po, ky takim teatror rrëfeu qe Teatri Shqiptar në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, ka njëherë aktorësh me vlerë, të cilët plotësuan gamën e përgjithshme të performancës interpretuese. Kështu, ra në sy interpretimi individualizues i Vladimir Habilit (Vlore), i Senad Habalit( Tetovë), i Gjergji Docit (Durrës), i Klodi Kadillarit (Tiranë) dhe i Ramadan Orcës (Podujevë), të cilët dhanë artistikisht mundësi shprehëse edhe mbi materialin e dhënë dramaturgjik.
Kësisoj, Festivali Teatror i Vlorës, e meritoi plotësisht ekzistencën e vet në këtë qytet bregdetar te Shqipërisë në arritjen e TURIZMIT KULTUROR.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›