E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Mbyllet protesta e opozitës, lirohet qarkullimi rrugor në Tiranë

TIRANË, 23 dhjetor /ATSH/ Protesta e opozitës ka zgjatur sipas parashikimeve gati tre orë, përgjatë të cilave protestuesit, të udhëhequr nga deputetët dhe anëtarët e kryesisë së Partisë Demokratike, por dhe me mbështetjen e drejtuesve të Partisë së Lirisë bllokuan qarkullimin rrugor në pesë kryqëzime, nga më kryesoret në Tiranë.

Protesta nisi në orën 17:00. Qarkullimi i mjeteve u bllokua tek Zogu i Zi, Ura te Xhamia në rrugën e Elbasanit, sheshi Uilson, Pallati me Shigjeta dhe pranë bashkisë Tiranë.

Fillimisht, pas bllokimit të akseve rrugore, përplasjet e para janë shquar tek pallati me Shigjeta.

Një zonjë u kërkoi protestuesve të lejonin qarkullimin e mjeteve, pasi kishte fëmijën e sëmurë dhe po e dërgonte në spital. Policia ka ndërhyrë menjëherë, duke drejtuar automjetet për të lëvizur në të tjera drejtime, duke i dhënë zgjidhje momentalisht situatës.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi nga sheshi “Uillson”, ku sëbashku me disa deputetë të tjerë ka bllokuar rrugën, ndërsa i ka kërkuar Policisë të respektoj tubimin. “Unë në  rrugë do të protestoj. Nuk do të protestoj tek ballkoni i shtëpisë”, u shpreh Bardhi. “Ju si punonjës policie duhet të garantoni të drejtën tonë për të protestuar. Madje duhet të protestoni edhe ju”, vijoi Bardhi.

Policia prej nisjes së tubimit, ka kërkuar lirimin e akseve rrugore, duke i kujtuar protestuesve se është vepër penale. “Lironi qarkullimin rrugor, është vepër penale”, ishin thirrjet e uniformave blu drejtuar protestuesve.

Por thirrjet nuk janë dëgjuar nga protestuesit dhe pas më shumë se 1 orë e 30 minuta tubim policia ka tentuar që të lirojë qarkullimin e mjeteve, por është hasur me rezistencën e protestuesve, të cilët janë përplasur edhe fizikisht me forcat blu.

Kreu i grupit parlamentar në Partinë Demokratike Gazment Bardhi nga sheshi “Uilson” ku ishte së bashku me deputetë dhe anëtarë të tjerë të opozitës, tha se “ka një agresivitet të shtuar të punonjës policisë ndaj qytetarëve.

“Është e pajustifikueshme kjo dhunë. Sa herë thërrasim Rama Ik, irritohet policia. Veprimet janë tërësisht kaotike. Janë veprime që nuk udhëhiqen nga ligji. Ja edhe tani që ne kemi deklarata, policia na rrethon ne dhe rrethon median”, tha Bardhi.

Lidhur me situatën ka reaguar dhe Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho. “Jemi në të drejtën tonë kushtetuese për të protestuar”, tha Xhixho.

Pas tensioneve, protesta ka nisur të shuhet. Aksi i parë që u lirua ishte ai tek bashkia e Tiranës, për të vijuar me lirimin e qarkullimit tek rruga e “Elbasanit”, tek “Zogu i Zi” dhe më pas tek sheshi Uilson, ku dhe ish-kryeministri Berisha njoftoi përfundimin e protestës.

Për herë të parë pas gati një viti, Sali Berisha, është shfaqur në terren mes protestuesve për të udhëhequr protestën e opozitës. Kryedemokrati nënvizoi se opozita do të tërhiqet deri në realizimin e objektivave të tyre që janë qeveri teknike dhe zgjedhje të lira.

Protesta e Opozitës, Foto: Florian Abazaj 1 nga 18

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›