Mbyllet shkolla, burim infeksionesh
Sarandë- Drejtoria e Shëndetit Publik ka vendosur mbylljen e shkollës fillore “Së bashku”, në qytetin e Gjirokastrës. Lajmi është dhënë nga vetë specialistët e drejtorisë, pas konstatimit të një sërë problemesh që kishte ajo dhe mundësisë për të qenë një burim i vërtetë për përhapjen e infeksioneve.
Shkolla publike ndodhet në lagjen “Zinxhira” të qytetit dhe fillimisht ka pasur për destinacion arsimimin e fëmijëve të komunitetit rom. Por duke qenë se frekuentimi i tyre nuk ka qenë ai i prituri, shkolla u popullua edhe me nxënës të tjerë.
“Vendimi është marrë sepse godina ka probleme të mëdha. Është krej me lagështi, nuk ka furnizim me ujë dhe konsiderohet vatër infeksioni”- thanë burime nga drejtoria e Shëndetit Publik.
Vendimi pritet të zbatohet nesër, ndërkohë që fëmijë që mësojnë në këtë shkollë do të mbeten pa mësim, deri në përmirësimin e kushteve.