E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllet xhamia e Marinës

Në minaren e xhamisë së Marinës së Skenderajt nuk do të ngjitet më hoxha i vetëshpallur, Kastriot Duka-Xhemajli. Kjo atij i është ndaluar të premten me një vendim të prerë, të cilin e ka marrë Asambleja Komunale e Skenderajt.

Po ashtu, në këtë mbledhje është marrë vendimi që dyerve të kësaj xhamie t’iu vihet përkohësisht dryni, deri në marrjen e një vendim tjetër të Bashkësisë Islame lidhur me këtë xhami.

Këto vendime u morën nga deputetët komunalë të Skenderajt, pas dëgjimit të dëshmive tronditëse të dhëna përmes një videoincizimi nga dy pleq nga Marina dhe Rezalla, identiteti i të cilëve nuk është zbuluar për shkaqe sigurie.

Që të dy dëshmitarët kanë rrëfyer për veprimtaritë e errëta që kryen hoxha i këtij fshati.

“Ky nuk është hoxhë, po adalet. Ky është kundër fesë t’myslimanizmit. Kam katër çika, tri i kam t’martume, nja n’shpi. K’to ma ka marrë, e çon kah don, e bon çka don më to. Gjithë natën n’xhami, a i mëson ato, a çka bon me to, veç ata e dinë. M’e prishë fenë kështu, askund n’botë nuk ka”, fillon rrëfimin dëshmitari i parë i CD-së.
Po ashtu, ai gjatë rrëfimit ka treguar se ai nuk guxon ta pyesë vajzën e tij më të vogël për atë se çka bëhet në xhami.

“Nuk guxoj m’e vetë për kurgja. Na boni horë shpinë e krejt katunin. As Serbia si armik, nuk ka shkelë në nderin e shqiptarëve ”, tregon më tej ky dëshmitar.

“Çika jem ka shku me ta n’Turqi. U kthy para dy muje, po as nuk m’ka kallxu ku ka shku, as ku shkon, as hiq. Po aty gjithçka bahet, bre. Dheun duhet me ja hjekë asaj xhamie”, shton ky person anonim.

Sipas këtij dëshmitari, hoxha i Marinës ka gjetur mbështetje te një numër i vogël i familjeve të varfra, të cilat i ndihmon me mjete financiare dhe gjëra ushqimore, e që më pas manipulon me ta.

“Ata që kanë marrë pare prej tij, janë n’krah t’tij. Kështu nuk sheh kërkund n’botë. Ai i ka ble njerëzit me pare. Që nuk zgjidhet kjo punë tash, besën po jua jap, gazetat kanë me shkru çka ka m’u ba aty”, thotë ky plak, duke kërkuar nga udhëheqësit e Skenderajt që sa më shpejt të zgjidhet halli i banorëve të fshatit të tij.

Ndërsa dëshmitari i dytë ka treguar për organizimin që bën Kastriot Duka për t’i pritur mysafirët e tij që vijnë nga jashtë Kosovës.

Sipas tij, në këto raste, Duka mbledh gratë dhe vajzat e fshatit dhe më pas i dërgon ato në aeroport për t’i pritur këta mysafirë, duke i përshkruar ata si ‘burra të veshur me fustane’. “Çikat e gratë dalin i presin kur të vijnë ata nga Anglia. Krejt hoxha i organizon autobusët me dalë me i prit mysafirët. Ato vllaut të vet nuk ja japin dorën, e ata kapen e puthen me to”, thotë ky dëshmitar, duke shtuar se xhamia e fshatit të tij më tepër i ngjason një moteli.

Këto dy rrëfime janë incizuar dhe pranuar në zyrat e OJQ-së “Prehja” në Skenderaj, koordinatorja e së cilës është Ajnishahe Shala, me inicimin e së cilës ka filluar peticioni kundër Kastriot Dukës.
Ky peticion i cili ka përfunduar të premten, ka grumbulluar gjithsej gjashtë mijë nënshkrime. Për largimin e Kastriot Dukës nga fshati Marinë kanë qenë të një zëri shumica e deputetëve komunalë të Skenderajt.

Ishte vetëm deputeti nga radhët e LDD-së, Jetullah Behrami ai i cili ka shprehur dyshimet lidhur me vërtetësinë e këtyre dëshmive.

Sipas tij, këto dy dëshmi mund të jenë të montuara apo të paguara nga persona të caktuar.

Këto dyshime të deputetit të LDD-së i ka mohuar inicuesja e peticionit, Shala, duke pohuar gjithashtu se këto dëshmi tashmë i ka në dorë edhe Policia e Kosovës.

Përkundër polemikave, kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku ka marrë vendim për mbylljen e xhamisë së Marinës dhe largimin e Kastriot Dukës.

“Për shkak të peticionit të shoqërisë civile tani ka arsye shtesë që Kuvendi të marrë vendim për mbylljen e asaj xhamie”, ka thënë kryetari Lushtaku.

Megjithatë, pas marrjes së këtij vendimi, përkrahësit e Kastriot Dukës kanë paralajmëruar protestë, duke thënë se nuk do të ketë as largim të Dukës, e as mbyllje të xhamisë.
Në anën tjetër, i shumëpërfoluri Kastriot Duka ka pranuar përmes telefonit të deklarohet për mediat. Ai ka mohuar se do të ketë protestë, duke thënë se është njeri i paqes.
“Ne jemi të qetë, nuk duam protesta”, ka thënë Duka.

Ndërsa ndihmësi i tij, Bashkim Ngucati ka deklaruar se me këtë rast duhet të bëhen verifikime dhe, sipas tij, nëse konstatohet se janë bërë veprime të kundërligjshme, atëherë do të veprohet në bazë të vendimit që ka marrë Kuvendi Komunal.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›