E Diel, 1 Nëntor 2026

Konfirmohet viktima e gjashtë

Behxhet Xhyliqi (1949) nga fshati Marali i Malishevës, është viktima e gjashtë e konfirmuar e aksidentit tragjik të Vjenës së Austrisë, që ndodhi natën mes të dielës dhe të hënës së kaluar.

Kjo është konfirmuar nga familjarë të viktimës, nga QKMF dhe nga Kuvendi Komunal i Malishevës, ku nga Ministria e Punëve të Jashtme, janë kërkuar disa të dhëna për viktimën në mënyrë që të plotësohet dokumentacioni dhe të kthehet kufoma e tij në vendlindje.

I ndjeri pas një pushimi që kishte bërë në vendlindje më 21 të këtij muaji ishte nisur me autobusin e Kompanisë “Polluzha Tours”, nga Prizreni për në Munih të Gjermanisë ku ka punuar.

Në aksidentin e para 5 ditësh në Vjenë të Austrisë kanë pësuar lëndime edhe dy qytetarë të tjerë të Malishevës, njëri nga Mleçani dhe tjetri nga Damaneku.

Sipas njoftimeve, ata po kurohen në qendrat spitalore në Austri dhe jeta e tyre nuk është në rrezik. Në aksidentin e të hënës në Vjenë, kanë humbur jetën edhe Ismajl Pajaziti, Mehmet Shkodra, Sadik Dellova, Bashkim Bytyçi, dhe Dragan Mihajloviq.

Qeveria ka ndarë një shumë prej 50 mijë eurosh për bartjen e gjashtë të vdekurve në aksidentin e trafikut që ndodhi në Austri, si dhe për shërimin e personave që kanë shpëtuar në këtë aksident.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›