Mbyllja e Tik Tok, Rama: Edhe më 11 maj vendim për fëmijët dhe familjen, jo partitë

TIRANË, 19 mars /ATSH/ Kryeministri dhe njëherazi Kryetari i PS, Edi Rama ftoi qytetarët që në zgjedhjet e 11 majit të votojnë për PS, duke e cilësuar këtë, “një investim për Shqipërinë në BE” dhe një investim për të mos patur kthim pas.
Nga Elbasani, në një takim me kandidatët për deputetët të Partisë Socialiste, Rama tha se, “në 11 maj duhet të vendosim për fëmijët dhe familjet. Në 11 maj nuk duhet të diskutohet që të shkojmë të votojmë por ama, ta investojmë votën për të futur Shqipërinë në BE”.
Rama tha se 95% e prindërve që ishin pro mbylljes së Tik Tok nuk janë socialistë, por ka edhe demokratë, të cilët vendimin e morën për fëmijët dhe familjet e tyre.
“Ka shumë rëndësi se kush qeveris këtu. Unë marr shembullin e Tik Tok. Kur ne bëmë këshillimin me 65 mijë prindër dhe mësues 95% e tyre thanë të mbyllet Tik-Tok. Tani 95% nuk janë socialistë. Shumë më tepër se 5% janë demokratë që kanë mbetur jetim, por që prapë s’kanë ku shkojnë dhe rrinë atje pas kënetës, dëgjojnë zhurma atje. Janë dhe të tjerë që nuk votojnë për ne. Pse? Sepse menduan si prindër, nuk menduan si demokrat dhe si socialistë dhe pavarësisht se isha unë që shkoja nëpër ato takime aty ishin lloj – lloj. Nuk e kishin mendjen fare tek partitë. Nuk i dukesha unë fare si gogol i palës tjetër, por më shihnin si njeriun që ka drejtimin e qeverise dhe si përfaqësuesin e qeverisë që ka mundësi t’i shpëtojë nga ajo mortje, që i ishte futur fëmijëve në trup”, tha Rama.
“Edhe 95% vendosën për fëmijët. Pikërisht këtë gjë duhet të bëjnë në 11 maj, duhet të vendosin për familjen dhe për fëmijët. Pse? Një prind që ka fëmijën në shkollë sot as nuk duhet ta diskutojë fare që në 11 maj duhet jo vetëm që të shkojë në votim por të investojë që ne të hyjmë në BE dhe Shqipërinë në BE e fusim vetëm unë dhe ju, nuk e fusin dot ata të tjerët. Nuk e fusin dot, është e pamundur, nuk ndodh. Nuk iu hapin derën një herë e para punës. Se janë për libër, nuk janë për fushatë e për t’i treguar, janë kësmet për libër gjithë akrobacitë për të krijuar dhe lidhjet personale për ti pasur në telefon të gjithë liderët e Europës, që nuk ka bërë vaki ndonjëherë”, tha Rama.
Kreu i PS shtoi se “Bufi i kënetës thotë se më 12 maj do të shkrijmë SPAK dhe do të kthejmë TikTok-un”.
“Pra nuk është e garantuar Shqipëria dhe nuk janë të garantuar shqiptarët, që çfarë ndërtohet sot nuk prishet nesër se nuk është rastësi që kalaja e Rozafës është legjendë shqiptare, nuk është legjendë franceze, ndërto ditën dhe prish natën. Ndërtoi Dash Sula i shkretë gjithë atë parti në Peqin dhe vajtën ia prishën natën. U ngri në mëngjes ia kishin marrë partinë natën Dash Sulës. Nuk dihet kush do ia hajë ato kokrra gruri se gjeli detit ngeli mbeti pa parti. Se unë gjelin e detit e kam kompliment se është në fushë të thatë dhe të tjerët janë lluc. Mund të thuash çfarë të duash për të, por ato që i ka i ka”, tha Rama, teksa theksoi se, futja në BE e bën të pamundur që të dali nesër një buf, kënetë, apo të dali një skifter, një ujk apo të dali një dhelpër, apo kal qyqe nesër e të thotë do të kthehet mbrapsh. Jo, nuk kthehet më pas. Atje garantohet se futesh në një familje”, u shpreh Rama.
Rama deklaroi se mesazhi është shumë i qartë që në 11 maj vota të shkoj për PS.
“Kjo është arsyeja për të kërkuar ne mandatin e 4-të. BE duhet ta kapim dhe duhet të sillemi si shqiptarë. Arsyeja pse duhet çuar te PS, sepse është forca e duhur në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. Mund të kishte qenë partia e re e Dash Sulës, por jo qëlloi PS, ndaj duhet votuar PS”, u shpreh Rama.