Mbyllja e TikTok, Rama: Do ishte rrugë e përkohshme sa të gjenden mekanizmat e duhur

Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në një takim me prindër e mësues në shkollën “Halit Coka”në Kamëz, ka vënë sërish theksin te propozimi për mbylljen e rrjetit social TikTok.
Sipas kryeministrit, vendosja e një kontrolli është domosdoshmëri, teksa bëri me dije se një rrugë mund të jetë edhe mbyllja për një periudhë të caktuar kohe të TikTok, deri sa të gjendjen mekanizmat e duhur, duke ndjekur edhe praktikat e vendeve të tjera.
“Problemi është që TikTok në vendet tona bazohet në një algoritëm që stimulon ato gjëra që nuk duhen stimuluar. Ndërsa TikTok psh. në Kinë është komplet tjetër. Aty fëmijëve në ekran ju dalin gjëra të bukura, si lexohet, si zgjidhen ushqimet…, ndërkohë që në këtë botën tonë është komplet gjë tjetër. Ndaj ka lindur një debat i madh që këto rrjete duhen marrë nën kontroll të paktën për ata nën 16 vjeç. Janë marrë disa masa por nuk ka akoma mekanizma teknologjik për të vendosur filtra. Ne jemi duke i studiuar të gjithë aspektet dhe jemi të prirur të besojmë që bllokimi i plotë i TikTok, edhe për arsye të tjera që lidhen me faktin e gjuhës shqipe, do të ishte një rrugë qoftë edhe për një periudhë, për të parë se çfarë do të bëjnë të tjerët, si të tjerët do të gjejnë mekanizma të tjerë dhe për ta hequr një shok shumë të keq nga duart e fëmijëve dhe për të pasur pak më shumë kontroll”, tha Rama.
Konsultimet publike me prindërit e nxënësve për mbylljen e TikTok, erdhën pas ngjarjes së rëndë ku mbeti i vrarë 14-vjeçari Martin Cani, pas një konflikti mes disa të miturve.
/rtsh.al/