Pensionistët tërheqin bonusin, mbi 22.000 përfitues në Lushnjë dhe Divjakë

Në zyrat postare në Lushnjë dhe Divjakë po tërhiqet shtesa e pensioneve të dhëna nga qeveria shqiptare për këtë fundvit.
Megjithëse lajmi për shpërndarjen e 15.000 lekeve mbi pensionin që ata marrin ishte i shumëpritur, nuk janë krijuar radhë të gjata.
Për të tërhequr bonusin kanë ardhur edhe pensionistët që jetojnë jashtë shtetit.
“Unë vetë e përballoj jetesën, se unë banoj jashtë shtetit. Jashtë shtetit unë marr 750 euro me 20 vjet punë.” / “Asnjë çik nuk na del. Unë kam borxh për të dhënë. Kam marrë borxh dhe 90 mijë më teprojnë për tërë muajin, që e llogaris nga 200 lekë ditën përveç ilaçeve e të tjera,” shprehen dy pensionistë.
Në Lushnjë dhe Divjakë më shumë se 22 mijë persona do të marrin bonusin e fundvitit.
Sipas Drejtorisë së Zyrës Postare në sportele janë tërhequr 6.000 bonuse, ndërsa në familje është dërguar shtesa tek 1.900 pensionistë.
Çdo ditë sportelet janë të hapura për dhënien e pensionit dhe shtesat për moshat e treta.
/rtsh.al/