Mbyllja e fushatës elektorale, Rama: Tirana do t’i japë mesazhin e fundit shqiptarëve kudo ndodhen

TIRANË, 9 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, bëri të ditur sot se lidhur me votën e diasporës ka pasur një lëvizje domethënëse në ditët e fundit nga ana e atyre që kishin mbetur ende pa i dërguar zarfet.
Në një videomesazh në rrjetet sociale vetëm pak momente para takimit përmbyllës në kryeqytet të fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit, Rama u shpreh se “Tirana do t’i japë mesazhin e fundit edhe gjithë Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve kudo ku ata ndodhen”.
“Ja dhe orët e fundit të këtij rrugëtimi. Vetëm pas pak, në 19:30, kemi Tiranën dhe vetëm Tiranën. Të gjithë të tjerët kanë qëndruar nëpër qarqet e tyre për përgatitjet e fazës tjetër të procesit, organizimi, trupat e komisionerëve etj. Ndërkohë që në 19:30 Tirana do t’i japë mesazhin e fundit edhe gjithë Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve kudo ku ata ndodhen”, tha Rama.
Lidhur me votën e diasporës, Kryeministri theksoi se numrat janë shumë inkurajues.
“Numrat janë shumë inkurajues, të shohim si do të mbyllet pjesëmarrja. Pa diskutim që trendi qysh në krye të herës na tregoi se kishim një pjesëmarrje shumë të lartë nga ana e shqiptarëve jashtë kufijve. Jam jashtëzakonisht i lumtur që ne i dhamë mundësinë të votojnë”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se është jashtëzakonisht i lumtur që ata e shfrytëzuan këtë mundësi për votën e parë në histori të shqiptarëve jashtë, por edhe për këtë sfidë të Shqipërisë në histori, 11 majin.
“Jam patjetër edhe shumë kurioz ta shoh vendimin e diasporës, gjykimin e diasporës”, tha Rama, ndërsa njoftoi se “në 19:30 do të jemi së bashku me Tiranën, për Tiranën dhe për Shqipërinë 2030 në BE”.
/a.f/r.e/