Rama: Në 11 maj firmosim marrëveshjen më të madhe me shqiptarët për Shqipërinë në BE

TIRANË, 9 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, deklaroi sot se “në 11 maj firmosim me shumicën dërrmuese të shqiptarëve marrëveshjen e madhe për Shqipërinë në Bashkimin Europian”.
Në takimin përmbyllës elektoral të fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit në Tiranë, Rama u shpreh se “Tiranën e nxorëm nga gërmadhat e anarkisë pa shtet në vitet ’90 dhe më pas e rilindëm si shëmbëlltyrën e ambicies sonë për Shqipërinë europiane”.
Kryeministri e cilësoi takimin e sotëm jo thjesht një takim përmbyllës të një tjetër beteje zgjedhore, por kulmin e një tjetër rrugëtimi katërvjeçar ngjitjeje lart drejt majës ku ndodhet Shqipëria e Europës së bashkuar.
“Nuk besoj te rastësitë. Nuk ka rastësi që ne sot jemi këtu në 9 maj, në Ditën e Europës, për të thënë fjalën e fundit të këtij rrugëtimit dhe pastaj për të shkuar së bashku me shumicën dërrmuese të shqiptarëve, shumicën më të madhe ndonjëherë të dielën në kutitë e votimit dhe për të firmosur atë marrëveshje më të madhen për Shqipërinë europiane, Shqipërinë në BE”, tha Rama.
1 nga 3/a.f/r.e/