Mbyllja e lokaleve në fakultete, MASH: Skemi marrë vendim
Propozimi
Kule: Shkak, zhurma dhe mungesa e hapësirave për të ngritur laboratorë
Shpresa Mezini
Lokalet që pozicionohen në ambientet e brendshme të disa prej universiteteve publike në vend janë kthyer tashmë në temë diskutimi. Reagimet e para lindën fill pas propozimit të rektorit të Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, i cili i kërkoi Fakultetit të Mjekësisë, Infermierisë dhe Ekonomikut ti mbyllë ato. Mësohet se kërkesa e rektorit drejtuar këtyre institucioneve është hartuar në formën e një shkrese zyrtare.
Kule sqaron se kjo kërkesë vjen pas ankesës së studentëve për zhurmën që krijojnë këto ambiente, por edhe për shkak të mungesës së laboratorëve që mungojnë sot e kësaj dite, si pasojë e ambienteve të pamjaftueshme të hapësirave.
Në Fakultetin e Mjekësisë ka tri lokale, të cilat zënë një sipërfaqe të madhe, në një kohë që në këtë fakultet ka mungesa të mëdha për mjedise, ku zhvillohet procesi mësimor, thotë Kule.
Sipas rektorit, është e mjaftueshme që në shumë fakultete ku ka mungesa të mëdha në hapësira dhe dyndje me studentë të pushtohen mjedise nga tavolina, karrige ku shërbehen edhe pije alkoolike. Kështu, përballë këtyre kushteve, mungesa e ambienteve në Universitetin e Tiranës ka bërë që mësimi të zhvillohet pa ndërprerje. Zgjidhja përfundimtare e çështjes së ambienteve jepet vetëm me ndërtimin e kampusit universitar, për të cilin qeveria ka dhënë rreth 20 milionë lekë për fillimin e zbatimit të projektit.
E ndërsa rektori i UT-së e gjykon të drejtë mbylljen e lokaleve në ambientet e brendshme të fakulteteve, Ministria e Arsimit sqaron se janë duke e shqyrtuar këtë kërkesë. Burime në MASH bëjnë me dije se e kanë marrë në konsideratë propozimin e rektorit. Madje ata pohojnë se propozimi i tij është i drejtë, por ndërkohë nuk mohojnë të kenë marrë një vendim final. Kështu, ata thonë se janë duke e shqyrtuar ende mundësinë e ofruar nga Dhori Kule, ndërsa së shpejti do të dalin me një deklaratë zyrtare mbi rrjedhën që do të marrë diskutimi i kësaj çështjeje. Në diskutime nuk është përfshirë vetëm rektorati i Universitetit të Tiranës, përfaqësuesit e Fakultetit të Mjekësisë, Infermierisë dhe Ekonomikut, por edhe vetë studentët e këtyre institucioneve. Ndërsa disa prej tyre janë pro marrjes së këtij vendimi, shumë të tjerë mendojnë se mbyllja e lokaleve në fakultete është absurde.
Nuk jam dakord me mbylljen e lokaleve në fakultete. Është mënyra më e thjeshtë për ne të mos largohemi nga fakulteti kur kemi një pushim të shkurtër. Kur duam të pimë një kafe apo të hamë diçka e kemi më të thjeshtë të zbresim në lokalin e fakultetit sesa të largohemi prej tij, kur koha që kemi në dispozicion është e shkurtër. Është e vërtetë që në Fakultetin e Ekonomikut mungojnë laboratorët, por mund të gjendet një tjetër mundësi për shtimin e hapësirave të lira, tha Erjona Male, studente e vitit të tretë në Fakultetin Ekonomik.
Por, nga ana tjetër, ka edhe të rinj që e aprovojnë vendimin e rektorit të UT-së, jo për ambientet e lira sesa për zhurmën që krijojnë ato. Shpesh e kemi të vështirë të dëgjojmë leksionet. Ka raste kur muzika apo bisedat me zë të lartë krijojnë zhurmë të paimagjinueshme, aq sa na pengojnë për të qenë të vëmendshëm në mësim, tha Altin Qarri, student i vitit të dytë në Fakultetin e Infermierisë.
Mbyllja e lokaleve në fakultete, MASH: Skemi marrë vendim burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip