Malaj: Shtuam sigurinë, por kjo nuk mjafton
Gjykata e Vlorës ka shtuar masat e sigurisë, por kryetari i saj i sheh këto të pamjaftueshme dhe kërkon që vrasja e gjyqtarit Skerdilajd Konomi të sjellë një reformim të gjerë
Nga Ervin Haruni
Kryetari i Gjykatës së Vlorës, Artur Malaj, shpjegon në një intervistë për “Mapo”-n atë që ndodh me njerëzit dhe godinën e drejtësisë në këtë qytet pas atentatit që i mori jetën Skerdilajd Konomit. Cilat janë masat shtesë të sigurisë pas vrasjes së gjyqtarit Konomi, a mjaftojnë ato? Çfarë qëndrimi mban ai ndaj hetimeve dhe çfarë duhet bërë për të përmirësuar sistemin dhe reformuar drejtësinë? “...rasti i tij të shërbejë për një refleksion për të gjithë, pa asnjë përjashtim, për nevojën e reformave, e jo vetëm për përforcimin e sigurisë së gjyqtarëve e të gjykatave, por edhe për nevojën e reformimit të gjyqësorit,” thotë Malaj. Ai tregon një sërë masash të reja të marra për sigurinë në gjykatë, por shpjegon se puna kryesorë për këtë i përket policisë dhe shërbimeve të tjera.
Pas ngjarjes së rëndë të vrasjes së një gjyqtari, a janë marrë masa shtesë sigurie në gjykatën që ju drejtoni?
Natyrisht, pas ngjarjes ku humbi jetën gjyqtari i gjykatës së Vlorës, Skerdilajd Konomi, dhe në gjykatën e Vlorës janë marr disa masa sigurie, kuptohet, me atë kapacitet e minimum personeli që ka Gjykata e Vlorës në dispozicion, janë bërë disa ndryshime si pjesa administrative e gjyqësorit është e veçuar nga pjesa ku zhvillohen gjykimet, çka do të thotë që në pjesën ku ndodhen zyrat e pjesa administrative e gjykatës lejohet të futen vetëm personeli i gjykatës si dhe gjyqtarët, kurse pjesa tjetër ku zhvillohen gjykimet natyrisht ajo është një pjesë publike ku mund të marrin pjesë të gjithë, që do të thotë se në të gjitha gjyqet që zhvillohen, përveç palëve, mund të marrin pjesë kushdo qytetar që është i interesuar për të ndjekur një gjyq. Lidhur me nivelin e sigurisë në këtë pjesë, është një pajisje për kontrollin e armëve, por duhet të keni parasysh që ne si gjykatë nuk kemi personel të specializuar për të bërë të mundur këtë kontroll, kemi vetëm një punonjës sigurie në të gjithë gjykatën, në të gjithë këtë gjykatë do të ishte e pamundur të qe një person i vetëm të mbulonte sigurinë.
A janë këto masa të mjaftueshme? A garantojnë këto sigurinë e gjyqtarëve dhe gjykatës?
Shiko, gjyqet janë publike e ne nuk mund të pretendojmë që të mbyllemi në vetvete, kur themi për masa sigurie, këto nuk nënkuptojnë vetëm masat e sigurisë në gjykatë. Unë kur kam folur për masa sigurie kam pas parasysh institucionet që merren me sigurinë në vend Shërbimi Informativ, Policia e Shtetit, apo shërbimet respektive të tyre, që kryejnë një punë parandaluese dhe jo më pasuese pasi të ndodhë një ngjarje. Në këtë drejtim, kjo është punë që i përket policisë, dhe nuk e di se çfarë masa mund të marrin ata dhe a kanë marrë pas ngjarjes.
Ka një iniciativë të gjyqtarëve për të kërkuar nga autoritetet më shumë siguri?
Nuk është një iniciativë vetëm e gjyqtarëve, por është një iniciativë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në mbledhjen e fundit Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka ngritur një grup pune që do t’i propozojnë ndoshta në formë të shkruar Parlamentit a qeverisë nevojën e vendosjes së disa kritereve e masave minimale, për të siguruar jo vetëm gjyqtarët por edhe gjykatat. Shpresojmë që ky grup në mbledhjen e ardhshme do të ketë formalizuar diçka me shkrim dhe do të bëhet publike besoj nga KLD.
Çfarë po bëhet me zbardhjen e ngjarjes së rëndë, ku humbi jetën kolegu juaj?
Si profesionist, më duhet të them që unë mund të bëj thirrje thjesht si kryetar gjykate që të zbardhet sa më shpejt ngjarja ku humbi jetën gjyqtari Konomi, por ju e dini që hetimet kryhen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, hetimet janë sekret, çka do të thotë që as unë, askush tjetër nuk mund të ndërhyjë. Unë nuk mund të marr të dhëna se në ç’fazë janë hetimet, si dhe çfarë të dhënash ka për rastin konkret, kjo i takon vetëm prokurorëve e grupit të hetimit, që është ngritur dhe që po merret me këtë çështje. Natyrisht që ata kanë përgjegjësinë kryesore për zbardhjen e ngjarjes.
Po me çështjet që po shqyrtonte gjyqtari Konomi, çfarë është bërë?
Tashmë të gjitha çështjet që ka pasur zoti Konomi në gjykim janë rihedhur në short ku janë caktuar sipas shortit gjyqtarët të cilët do t’i vazhdojnë këto gjyqe. Konomi para ngjarjes ka pasur çështje relativisht të lehta, që ne i themi të thjeshta, si lëshim trashëgimie, urdhër ekzekutimi, kryesisht nga bankat apo ujësjellësi. Çështje të tilla, d.m.th. nuk është se Konomi ka pasur çështje me palë kundërshtare.
Çfarë duhet bërë pas një ngjarjeje të tillë kaq të rëndë?
Në përvojën time si gjyqtar, por edhe si kryetar i gjykatës, një krim pason tjetrin. Çka do të thotë që kur një krim lihet pa u ndëshkuar, kur nuk zbulohen autorët e ngjarjeve të rënda, pjesa tjetër e kriminalitetit merr hov dhe nxitet për të kryer vepra të tilla penale. E kam thënë dhe e rithem, që ngjarja e Skerdilajd Konomit mund të mos shërbejë për asgjë, d.m.th. vdekja e tij të mos shërbejë për asgjë, por rasti i tij të shërbejë për një refleksion për të gjithë, pa asnjë përjashtim për nevojën e reformave, e jo vetëm për përforcim të sigurisë së gjyqtarëve e të gjykatave, por edhe për nevojën e reformimit të gjyqësorit në tërësi, përfshirë këtu edhe ato të meta që mund të konstatohen nga qytetarët. Pra, një ngjarje e tillë jo vetëm të nxisë grupin e hetimit për ta zbardhur sa më parë këtë ngjarje, sepse siguria më e madhe, është ndëshkimi më i madh për ata që e kanë bërë këtë gjë, është zbardhja e së vërtetës. Zbardhja është e rëndësishme për të gjithë familjarët, kolegët e tij, por njëkohësisht kjo ngjarje të shërbejë dhe si refleksion për të gjithë, për nevojën për reforma. Sepse nuk mundet të ndodhë një ngjarje e rëndë dhe të kalojë kështu pa asgjë, sikur s’ka ndodhur asgjë.
A ka gjyqtarë që të kenë kërkuar mbrojtje apo shprehur shqetësimin për kërcënime në Gjykatën e Vlorës?
Në Gjykatën e Vlorës nuk ka gjyqtar që të ketë kërkuar mbrojtje, si dhe nuk ka asnjë gjyqtar të kërcënuar.