E Diel, 1 Nëntor 2026

‘McLaren rikthehet më e frikshme’

Formula 1/ Piloti britanik, Luis Hamilton i sheh të domosdoshme pushimet

Përpara se të nisej zyrtarisht për pushime,Luis Hamilton, gjatë një interviste të dhënë për uebsajtin zyrtar të Formula 1, është shprehur mjaft optimist për finale e sezonit. Kampioni i botës në vitin 2008 ka ndryshuar mendim në krahasim me disa ditë më parë dhe ka theksuar se McLaren do të rikthehet edhe më e fortë, duke synuar titullin kampion.
Hamilton, në Hungari u tërhoqët për herë të dytë në këtë kampionat. A jeni i zhgënjyer?
Po, ka qenë shumë zhgënjyese, por ne duhet të shohim përpara, pavarësisht se ajo e Hungarisë ka qenë një garë e vështirë, nuk mund t'i mohojmë edhe aspektet pozitive: arrita të bëja disa parakalime dhe inxhinierët ishin perfektë në pit-stop. Në këto garat e fundit që kanë mbetur mund të kthehem më i fortë se më parë dhe kemi disa zhvillime shumë të rëndësishme për makinën, që më japin motivimin e duhur për t'u përpjekur. Do më kishte pëlqyer që t'i kaloja pushimet si lider i klasifikimit, por nuk mund të dëshpërohem jashtëzakonisht për këtë.
çfarë do bëni gjatë këtyre 4 javëve?
Të gjithë në Formula 1 i prisnin këto pushime, pasi kishte ardhur koha që të qetësoheshim. Kjo periudhë e shkurtër pushimesh ishte tejet e domosdoshme për pilotët, mekanikët, inxhinierët, për të gjithë, pasi punojmë gjatë gjithë vitit me shumë sforco, kështu që edhe ne kemi nevojë që të karikojmë bateritë.
Ku do t'i kaloni pushimet?
E dija që do ma bënit këtë pyetje, por nuk kam ndërmend të tregoj se ku do shkoj. Ju mjafton të dini se do të largohem për një periudhë kohe nga të gjithë dhe nga gjithçka.
Pauza verore mund të shërbejë si një periudhë reflektimi për pjesën e parë të sezonit që sapo ka përfunduar? Cili është mendimi juaj lidhur me sezonin e McLarenit?
Thuajse që në fillim kemi arritur që të fitojmë gara, si unë ashtu edhe Xhenson. Pastaj edhe ato herë që nuk jemi ngjitur në majën e podiumit kemi qenë shumë kompetitivë. Gjithashtu kemi pasur edhe fundjava të vështira si në Monako dhe në Hungari, por këto gjëra ndodhin. Në përgjithësi mund të them se jam i kënaqur me ecurinë e kampionatit. McLaren është një skuderi që ka pas shpine një histori të mrekullueshme dhe di sesi fitohet. Unë dhe Xhenson do bëjmë gjithçka është e mundur për të mbajtur në shtëpi numrat 1 dhe 2.
Cila është gjëja e parë që do bëni pas pushimeve?
Në fakt do të fillojmë të mendojmë sikur sezoni sapo ka filluar dhe ne jemi ende në luftë për titullin. Diferenca mjaft e ngushtë e pikëve midis skuadrave të mëdha është me të vërtetë fantastike, pasi kampionati mbetet i hapur. Pastaj unë e di që do rikthehemi edhe më të fortë në shtatë garat e fundit.
çfarë ju bën ta mendoni këtë?
Ne kemi kaluar edhe më parë momente mjaft të vështira, të cilat edhe atëherë kur situata dukej aq e rënduar sa nuk kishte rrugëdalje, kemi mundur t'ia dilnim mbanë.
A jeni i kënaqur me këto që keni arritur deri tani?
Natyrisht që po, por e di që mund të arrij më shumë. Ajo që do ndodhë duke filluar që nga gara e Spa-së do vendosë pretendentët kryesorë për titullin. Një gjë është e sigurt, ne duam të jemi një ndër ta. Sigurisht e kemi recetën e fitores dhe do ta tregojmë që në garën e Belgjikës. Në fakt, po e pres me padurim 29 gushtin. Sa do doja që të ishte këtë fundjavë!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›