E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pepe “qan” largimet,por: Kemi Murinjon



Mbrojtësi portugez Pepe ka analizuar situatën aktuale të skuadrës së Realit të Madridit, ku shprehet shumë optimist për këtë sezon dhe mbi të gjitha përgëzon punën e bërë nga Murinjo. Ndërkohë, ai komenton edhe mbi Kakanë, i cili do mungojë për një kohë të gjatë.

- Sezoni i shkuar nuk ishte shumë i mbarë për ju, pasi u pezulluat dhe më pas u dëmtuat rëndë.
është e vërtetë dhe ndaj dua ta lë pas krahëve. Dëshiroj që të rikuperoj gjithçka në sezonin e ri. Gjërat duket se po ecin në rrugën e duhur dhe kjo na bën optimistë për të realizuar të gjitha objektivat tona.
- Si po të duket të punosh me Murinjon, një trajner që ka fituar shumë trofe të rëndësishëm?
është një ëndërr të punosh me të. është një trajner shumë punëtor, të cilit nuk i shpëton asnjë detaj. Ka një aftësi të shkëlqyer komunikimi me lojtarët, por që dëshiron që të gjithë të japin maksimumin e tyre si në stërvitje, ashtu edhe në fushën e lojës. Ai jep më të mirën e tij dhe pret të njëjtën gjë nga ne.
- Keni pasur ndonjë bisedë private me të?
Ne jemi të dy portugezë dhe kemi folur disa herë. Sigurisht që ai ka marrë mendimin tim për çështje të ndryshme, por në asnjë mënyrë të më ketë parë mua si më shumë se një prej futbollistëve të ekipit. Kemi një marrëdhënie korrekte.
- Po Kristiano Ronaldo? Si është ecuria e tij?
Si gjithmonë. Një nga futbollistët që stërvitet më shumë dhe është më i përpiktë në detyrat që kemi. Sezonin e kaluar ai dha shumë, por nuk fitoi asnjë trofe. Këtë herë nuk dëshiron të dalë duarbosh dhe është i bindur që do e ndihmojë ekipin që të konkretizojë një triumf të rëndësishëm.
- Kaka do mungojë për një kohë të gjatë, pas operacionit që kreu. Flitet se gjendja e tij u rëndua, për shkak se nuk zbatoi këshillat e mjekëve të klubit?
Rikardo është një lojtar që me të vërtetë do na mungojë, por dua të theksoj se askush nuk mund të vërë në dyshim profesionalizmin e tij. Kushdo që e njeh atë, e di shumë mirë se është thjesht një mashtrim.
- Pas merkatos së bërë, a është më e kompletuar skuadra?
Nuk kemi shumë kohë me futbollistët e rinj, por unë i njoh disa prej tyre. Mund të them që janë shumë të talentuar dhe shumë të freskët. Janë futbollistë që do e tregojnë veten dhe se e dinë rëndësinë e fanellës së Realit. Gjithsesi, skuadrës i janë larguar gjithashtu dy futbollistë me të vërtetë shumë të rëndësishëm, si Guti dhe Rauli.
- Do ndihet mungesa e tyre?
Nuk e di, shpresoj që jo.
- Një parashikim për sezonin e ardhshëm?
Do festojmë në fund të sezonit. Shpresojmë që të festojmë më shumë se një herë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›