Më pak investime nga subjektet private
Biznesi po ul investimet, duke paralajmëruar rënien e rritjes ekonomike dhe më pak punësim në të ardhmen. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se investimet private në ekonomi po bien në mënyrë të vazhdueshme dhe me ritme jo të vogla. Sipas të dhënave, investimet e biznesit dhe individëve pritet të arrijnë këtë vit pikën më të ulët sa 28.5% e PPB-së, kur në vitin 2007 ato ishin 32.1% e PBB-së. Shqetësimi për rënien e investimeve private po ngrihet shpesh së fundmi edhe nga Banka Qendrore, e cila u referohet një sërë treguesve të saj, që kanë të bëjnë me uljen e fortë të importit të makinerive dhe rënien e konsumit të energjisë nga bizneset. Sipas bankës, në 6-mujorin e parë të këtij viti importi i mallrave kapitale që përdoren vetëm për qëllime investimi ra në sasi me mbi 19% krahasuar me një vit më parë, ndërsa konsumi i energjisë nga bizneset u ul në tetë muajt e parë të vitit me shifrën rekord 14.7%. Banka thotë se investimet po bien për një sërë arsyesh, që kanë të bëjnë me vështirësinë e biznesit për të marrë kredi, por edhe pasigurinë për të investuar në kohë krize, çka dëshmohet edhe nga rënia e besimit në sektorët me kyç të ekonomisë, si ndërtimi dhe industria. Dhe nëse në dy vitet e fundit rënia e investimeve private është kompensuar pjesërisht nga rritja e investimeve publike, vitin e ardhshëm kjo nuk mund të ndodhë më, pasi edhe qeveria është detyruar të dorëzohet, duke parashikuar në buxhetin e 2010-s investime 17% më të ulëta së këtë vit.