E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria zgjeron fondin për kompensimin

Këshilli i Ministrave vendosi dje që gjithë fondin e përftuar nga ankandet dhe shitja e aseteve shtetërore ta kalojë në favor të kompensimit të pronarëve. Nga shitja e ndërmarrjeve dhe nga ankandet e makinave shtetërore, i gjithë fondi do të shkojë për llogari të kompensimit monetar të pronarëve sipas vlerës së tregut. Kjo është lëvizja e radhës së qeverisë për të rregulluar marrëdhëniet me pronarët. Për shitjen e trojeve shtetërore, Kryeministri Berisha kërkoi edhe amendimin e ligjit të vitit 1994, i cili e ndalonte shitjen e tokave shtetërore. "Të ardhurat e ankandeve të sipërmarrjeve, vlerave apo aseteve shtetërore, ky ligj i adreson në fondin monetar të kompensimit të pronarëve", tha Berisha. Sipas tij, kompensimi i pronarëve do të bëhet vetëm me vlerën e tregut, pavarësisht kostos së lartë që duhet të paguajë qeveria. "Në përputhje me Kushtetutën e vendit, por edhe parimet programatike të qëndrimeve tona ndaj çështjes së pronës, kemi përzgjedhur formën më të ndershme, më të kushtueshme dhe më të vështirë të kompensimit, që është ajo me vlerën e tregut", u shpreh Berisha. Kryeministri shtoi se të ardhurat e ankandeve të sipërmarrjeve, vlerave apo aseteve shtetërore, me ligjin e ri do të adresohen në fondin monetar të kompensimit të pronarëve. Projektligji për caktimin e fondit të kompensimit monetar të pronarëve do të diskutohet edhe në komisionet parlamentare.

"Ky është një detyrim kushtetues dhe moral të mazhorancës ndaj pronarëve, të cilëve në mënyrën më të padrejtë e më klasore u shpronësuan", u shpreh ai. Kryeministri Berisha, duke prezantuar projektligjin, tha se ai ridimensionon burimet e qeverisë për të kompensuar pronarët shqiptarë. "Me këtë ligj, hapen shtigje dhe mundësi të reja për fondin e kompensimit të pronarëve, qoftë fizik apo qoftë monetar", nënvizoi Berisha. Për krijimin e fondit monetar të kompensimit, Kryeministri bëri të ditur se do të përdoren edhe të ardhurat nga privatizimet dhe ankandet e aseteve shtetërore. Krahas këtyre fondeve, të ardhurat e ankandeve të pronave të tjera, sipërmarrjeve, vlerave apo aseteve shtetërore, ky ligj i adreson gjithashtu në fondin monetar të kompensimit të pronarëve.

Kryeministri e vlerësoi një veprim shumë të drejtë, që krahas ligjit, sipas të cilit 20 për qind e privatizimeve do të shkojë për kompensimin e pronarëve, miratohet projektligji i ri për mënyrën se si do të gjenden fondet për kompensimin. Qeveria miratoi projektligjin për caktimin e fondit të kompensimit të pronave. Kryeministri Berisha pranoi se rimbursimi i pronarëve me vlerën e tregut përfaqëson një faturë të madhe për qeverinë, por sipas tij, ky është një detyrim kushtetues dhe moral kundrejt ish-pronarëve. "Qeveria duhet të autorizohet të përdorë trojet në mënyrën më eficente për kompensimin e pronarëve", u shpreh Berisha. AKKP-ja, me vendim të Këshillit të Ministrave do shkrihet pas shqyrtimit të tetë mijë dosjeve, duke i dhënë kështu fund çështjes së pronave, të cilën Shqipëria ende e ka në udhëkryq.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›