E Diel, 1 Nëntor 2026

Më 1 gusht, rezultati përfundimtar i zgjedhjeve

Në datën 1 gusht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Pasi ka shpallur rezultatin paraprak disa javë më parë dhe procesi zgjedhor kaloi në fazën e ankimimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka arritur në fazën përfundimtare, shpalljen e rezultatit, duke u hapur rrugë negociatave për krijimin e qeverisë. Në bazë të rezultateve të deritanishme, koalicioni i djathtë, aleanca e ndryshimit, ka marrë 70 mandate, koalicioni bashkimi për ndryshim ka marrë 66 mandate dhe koalicioni aleanca socialiste për integrim ka katër mandate. Në këto zgjedhje janë reduktuar mjaft subjektet politike, nga më shumë se dhjetë parti në legjislaturën e shkuar, këtë herë do të jenë vetëm gjashtë subjekte politike: Partia Socialiste, Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Drejtësi dhe Integrim, Partia Republikane dhe Partia e Bashkimit dhe të Drejtave të Njeriut.
Së bashku me certifikimin e zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të japë dhe një sërë të dhënash e detajesh që lidhen me transparencën e zgjedhjeve, siç është përqindja e votuesve në këto zgjedhje, bilanci i fletëve të votimit, kutive, materialeve të tjera zgjedhore etj.
Sa u përket ankimimeve, ky është i vetmi proces zgjedhor që rezultoi të kishte pak ankimime. U ankimuan pesë qarqe: Berati, Fieri, Tirana, Shkodra dhe Durrësi, dhe kryesisht që të gjitha ankimimet kishin një objekt ankimimi, atë të kërkesës për rivlerësim dhe rinumërim të votave.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›