E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ shpall sot mandatet për tre qarqe

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shpallë sot mandatet për tre qarqet e fundit, duke ligjëruar kështu 140 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë. Mandatet për Qarkun e Fierit, të Tiranës dhe të Shkodrës pritet të shpallen sot, ndërsa me vendimet e marra deri më tani janë shpallur 81 mandate në 9 qarqet e tjera të vendit. Tre qarqe ishin pjesë e ankimimeve të subjekteve politike në Kolegjin Zgjedhor, ndaj KQZ ishte në pritje të vendimeve të tyre për të shpallur rezultatin. Vendimi i KQZ bazohet në nenin 123 të Kodit Zgjedhor, i cili vëren se KQZ-ja nxjerr rezultatet e votimit për zonën zgjedhore, në bazë të tabelave të rezultateve të nxjerra nga çdo KZAZ e zonës zgjedhore përkatëse. Për këtë, KQZ-ja plotëson Tabelën Përmbledhëse të Rezultatit për Zonën Zgjedhore dhe e miraton atë me vendim jo më vonë se 48 orë nga mbërritja e të gjitha tabelave të Zonës Zgjedhore. Kur gjatë llogaritjes së tabelës KQZ-ja, kryesisht ose me kërkesë të palëve, vëren mospërputhje të shifrave të tabelës përmbledhëse me tabelat e rezultateve të qendrave të votimit, merr vendim për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit me shifrat e korrigjuara, duke u bazuar në origjinalet e tabelave të qendrave të votimit. Vendimi për miratimin e tabelës së rezultatit zgjedhor mund të ankimohet në KQZ.
Sakaq, pasi ka marrë fund faza e ankimimeve, subjektet politike, kryesisht ato që u përfshinë në këtë proces, ndajnë mendime të ndryshme për standardet e vendimmarrjes. Përfaqësuesi i PS në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve tha se edhe Kolegji Zgjedhor nuk u shpëtoi dot presioneve politike duke penalizuar PS-në.
"Edhe Kolegji Zgjedhor nuk i shpëtoi vendimmarrjes së tij në kundërshtim me ligjin, duke ecur në frymën e vendimeve politike të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ne erdhëm këtu për më shumë drejtësi, për më shumë zbatim të ligjit, por edhe këtu presionet politike gjetën vendin e tyre dhe rrëzuan kërkesën e PS-së", tha Salianji. Ndërsa sipas përfaqësuesit ligjor të PD-së, Niazi Kosovrasti, ky institucion ka mbrojtur standardet e zgjedhjeve. "Vendimi i kolegjit ka qenë jashtëzakonisht ligjor, mjaft i arsyeshëm për mua, me shumë përgjegjësi, sepse kolegji mori përsipër të mbronte një të drejtë shumë të madhe, përndryshe procesi zgjedhor do të kishte pësuar një dëm shumë të madh. Ai do ishte shkatërruar në themelet e veta", deklaroi ai. Madje, sipas tij, anëtarët e majtë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë përdorur një strategji që synonte manipulimin e zgjedhjeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›