E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më 21 shkurt 2013, Benedikti XVI dekretoi Bekimin Apostolik për Fahri Balliun dhe stafin e “55”-s

02-03-2013 / Gazeta 55

Ambasadori i Vatikanit në Shqipëri Ramiro Molinier Inglez i dorëzoi dje botuesit të gazetës “55”, Fahri Balliu, Pergamenën me bekimin apostolik të Atit të Shenjtë, Benedikti XVI, i cili lyp për zotin Balliu “hire të shumta hyjnore”. Mesazhi hyjnor vjen në 15-vjetorin e themelimit të Botimeve “55” dhe është një vlerësim për kontributin e dhënë në mbështetjen e vlerave perëndimore të shoqërisë shqiptare

Papa Benedikti i XVI, ka bërë një Pergamenë të veçantë për botuesin dhe shkrimtarin Fahri Balliu, për kontributin e tij në mbrojtje të vlerave perëndimore. Ambasadori i Vatikanit në Tiranë, Arqipeshkvi Ramiro Molinier Ingles i ka dorëzuar dje mesazhin e shenjtë të Papës (Bekimin Apostolik), z. Balliu gjatë një vizite në redaksinë e gazetës “55”. “Kam kënaqësinë t’ju dorëzoj Pergamenën bashkangjitur me Bekimin Apostolik të veçantë të Shenjtërisë së tij Papa Benedikti XVI për Ju, për Stafin dhe gjithë bashkëpunëtorët e “Gazetës 55” dhe të “Shtëpisë Botuese 55”, me rastin e 15 vjetorit të themelimit të tyre”, tha ndër të tjera ambasadori Ingles.
Në Pergamenën që Papa Benedikti ka firmosur më 21 shkurt 2013 për botuesin Balliu thuhet: “Shenjtëria e tij Papa Benedikti XVI u jep me gjithë zemër Bekimin Apostolik Z. Fahri Balliu, stafit dhe bashkëpunëtorëve të “Gazetës 55” dhe “Shtëpisë Botuese 55” që ka botuar në gjuhën shqipe librin “Jezusi i Nazaretit”, kërkuar me rastin e 15-vjetorit të themelimit të tyre. Duke lypur për ta hire të shumta hyjnore”.
Arqipeshkvi Ramiro Molinier Ingles u shpreh se këtë gjest atëror, Benedikti XVI ka dashur që, para përfundimit të Pontifikatit të tij, të shprehte ndër të tjera mirënjohjen e tij për botimin në gjuhën shqipe të veprës “Jezusi i Nazaretit”. “Përfitoj nga rasti për t’ju falënderuar për kontributin tuaj të rëndësishëm dhe t’ju uroj suksese të mëtejshme - tha ambasadori i Vatikanit”, duke iu drejtuar z. Balliu. “Gazeta 55” dhe “Shtëpia Botuese 55”, kanë qenë qysh prej themelimit, 15 vjet më parë, mbështetëse të vlerave perëndimore të shqiptarëve dhe një tribunë e mendimit perëndimor, që vinte nga përfaqësues të spikatur, jo vetëm të botës katolike dhe asaj të krishterë, por edhe të botës laike, kontributore në themelimin e BE-së. Kujtimet e At Zef Pllumi, dëshmitarit të krimeve të komunizmit janë pjesë e botimeve “55”  dhe mendimit katolik, të cilin ky ent botues e ka përcjellë përmes botimeve me shkrime të Nënë Terezës apo për Nënë Terezën, por edhe botimit dyvëllimësh “Lavdia e Klerit Katolik Shqiptar”, shkruar nga Pjetër Pepa.
Shtëpia Botuese “55” ka sjellë në gjuhën shqipe nën përkthimin mjeshtëror të Ferdinand Lekës, dy vëllimet e para të librit “Jezusi i Nazaretit” shkruar nga Papa Benedikti XVI. Përmes këtyre dy botimeve lexuesi shqiptar pati mundësinë të shihte një dimension tjetër të Papa Benediktit, i cili shfaqet jo vetëm si bariu i miliarda besimtarëve, por edhe si një mendimtar dhe filozof i rëndësishëm i kohës që jetojmë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›