Lëkundjet e tërmetit politik në Itali mund të ndihen edhe këtej Adriatikut
Tërmeti politik që shkaktuan zgjedhjet e 23 dhe 24 shkurtit në Itali, konfiguruan një vend të paqeverisshëm, çka e patën parashikuar shumë analistë, gjatë fushatës elektorale. Tërmetin e shkaktoi lëvizja populiste-ekologjiste “5 Yje” e themeluar në tetor të 2009-s prej humoristit xhenovez Bepe Grilo (Beppe Grillo). Me hyrjen e grilinëve (siç quhen militantët e lëvizjes) në Parlamentin e Italisë, i cili përbëhet nga Dhoma e Deputetëve dhe nga Senati, analistët parashikojnë bllokimin ligjvënësit italian. Ndërsa koalicioni i Qendrës së Majtë ka shumicën absolute në Dhomën e Deputetëve, në Senat gjendja është e ndërlikuar në mënyrë të atillë që zor të kalojë ndonjë ligj. Diferenca tepër e ngushtë ndërmjet koalicionit të majtë dhe të djathtë nuk i jep Senatit hapësirën e nevojshme të frymëmarrjes, që të funksionojë sipas ligjeve kushtetuese të Italisë. Ndërkohë, nuk ka asnjë shpresë bashkëpunimi me palët, nga ana e senatorëve grilinë. Qysh të nesërmen e zgjedhjeve, Grilo s’ pranoi të bashkëpunojë me Bersanin, lideri koalicionit të majtë, i cili i shtriu dorën e bashkëpunimit “për të mirën e vendit”, pas kritikave të ashpra që patën shkëmbyer njëri me tjetrin gjatë fushatës zgjedhore. Me Berluskonin, lider i koalicionit të qendrës së djathtë, as që mund të mendohet ndonjë lloj bashkëpunimi. Në këtë mënyrë, Grilo ua preu rrugën të gjitha zgjidhjeve të hamendësuara që qeveria e ardhshme, nëse do të arrijë të marrë votëbesimin, të mbijetoi deri në fund të mandatit. Numri i parlamentarëve të ish Kryeministrit Montit nuk është i mjaftueshëm për t’i siguruar qeverisje njërit ose tjetrit koalicion.
Lëvizje “5 Yje” - ca mish, ca peshk - të kujton përpjekjen absurde të Edi Ramës në zgjedhjet e kaluara që ta “varte” ideologjinë politike të PS-së në boshllëk, pra as majtas, as djathtas. Një fushatë të tillë, vrojtuesit e këqyrin si mënyrën më të mirë për të tërhequr pas zgjedhësit e pakënaqur, të cilët nuk mungojnë kurrë në edicionet zgjedhore. Gjatë fjalimeve përpara turmave gjithfarësoj në sheshet e qyteteve italiane nga Veriu, në Jug, humoristi xhenovez iu kundërvu klasës politike që ka qeverisur deri sot vendin, duke ia veshur asaj të gjitha dështimet, pa pranuar asnjë arritje. As kandidat, as relator i ndonjë partie, pa program të mirëfilltë zgjedhor, llafolog i stërvitur në skenat më të mira të Italisë, Grilo e ndjeu veten në pozicion komod për të mbledhur shesheve mijëra nga të gjitha palët e spektrit politik të Italisë, që nga e majta, deri në të djathtën, pavarësisht se bërthamën e lëvizjes griline e përbëjnë anëtarë të grupimeve sociale të ekstremit të majtë. Gazetari Massimo Gramellini ironizonte në të përditshmen italiane “La Stampa”: “Të dashur zgjedhës, më quajnë Folësi Grilo, por s’jam as relator, as kandidat, pra lejomëni luksin të përrallis...”. Me flokë të thinjur e të gjatë, me mjekër të parruar, Grilo të kujtonte Karl Marksin në pamje dhe Leninin në gjeste. Ndërkohë “kafshonte” sa nga e majta, aq edhe nga e djathta e zgjedhësve të pakënaqur italianë.
Ç’ qe për t’u bërë, u bë. Tashmë, Parlamenti i Italisë do të njohë vërshimin e një turme parlamentarësh amatorë që nuk njohin abecenë e politikës, duke lënë jashtë figura të tilla si Xhanfranko Fini etj., të cilët, në një mënyrë ose në tjetrën, kanë lënë gjurmë në historinë e politikës italiane. Vendin e tyre do ta zënë çunakë e çupëlina, punëtorë e bojaxhinj, aktorë e poetë, profesorë e studentë, protestues e mitingashë profesionistë, karagjozë e sharlatanë... Nuk është i rastësishëm shqetësimi i klasës politike europiane, lidhur me përfundimin që dhanë zgjedhjet në Itali. Në programin e vet, që, sipas analistëve, është një listë pafund problemesh të pazgjidhura, Grilo ofron zgjidhje të papranueshme. Tipik është qëndrimi i tij antieuropian, ndërsa pretendon referendum për tërheqjen e Italisë nga zona euro. Merret me mend ç’ telashe do t’i hapeshin BE-së, pas katastrofës që po përjeton ekonomia e Greqisë.
Gazeta “Le Soir”, ndër më të mëdhatë e Belgjikës, do të shkruante të nesërmen e zgjedhjeve: “Është një mësim për të gjithë, një sinjal i vërtetë alarmi në jug të Europës. Këto zgjedhje nuk prekin vetëm vendin. Ato na përfshijnë të gjithë, sepse Italia është fuqia e tretë e zonës euro... Europa duhet ta dëgjojë këtë mesazh... Kjo duhet të na bëjë të reflektojmë.”
Tashmë, çoroditja që pësuan zgjedhësit italianë nën trysninë e lëvizjes populiste, është një e vërtetë e pakundërshtueshme. A do të na nxisë kjo e vërtetë ne, zgjedhësit shqiptarë, që të nxjerrim mësimet e nevojshme?
Nxirja e realitetit shqiptar nga Rama dhe e atyre që ka mbledhur e po mbledh rreth vetes, është rrezik potencial për të ardhmen tonë. Duke e pastruar PS-në nga vlerat dhe duke sjellë në vend të tyre manekinë politikë, që të mos them mosvlera, duke kërkuar votën e ca të pakënaqurve që veprojnë sipas mllefit e jo sipas trurit, Parlamentin tonë do ta mbushin biznesmenë “të suksesshëm” të prurë nga Italia a nga Greqia, prokurorë puthadorë e gazetarë kameleonë, milionerë e miliarderë, militantë mitingashë dhe protestues profesionistë gjithfarësoj, sharlatanë e karagjozë. Është e vetmja mënyrë e sigurtë që të bllokohet procesi i reformave në Shqipëri, çka Rama e ka bërë deri sot me bojkote, aq sa i ka dalë boja edhe në rrafshin ndërkombëtar. Shembullin më domethënës sapo e ka dhënë Bepe Grilo, me filozofinë e tij politike ”të heqim të këqijtë, të vëmë të mirët dhe çdo gjë do të ndreqet me urdhër të peshkut”. A nuk bërtet Rama “hiqni Berishën, zgjidhmëni mua kryeministër”? A nuk e ka shpallur me program “pastrimin” e administratës, të policisë dhe të institucioneve të tjera nga, sipas tij, “të këqijtë”, që të vendosë “të mirët”? Që të zhbëjë gjithçka është arritur e ta ribëjë ashtu siç bëri Tiranën?
Nga ky këndvështrim, lëkundjet e tërmetit politik që pësoi Italia, nuk është çudi t’i ndiejmë edhe ne pas zgjedhjeve të 23 qershorit, nëse elektorati ynë do të çmendet pas absurditeteve programore të Ramës. I ashtuquajturi program i rilindjes, s’mund të sjellë tjetër veçse përmbysje të gjithë asaj çka është arritur në këta vjet të proceseve demokratike, me synimin për ta filluar nga zero. Mirëpo premtimet janë tjetër gjë, kurse përditësimi i tyre, tjetër. Gjithsesi, a thua e kemi ne atë luks që nuk e kanë as vendet më të zhvilluara të BE-së?