Vendimi/Hapet rruga për hipotekimin e 260 blloqeve të banimit
Këshilli Bashkiak i Tiranës miraton 18 projektvendimet e bashkisë. Basha: “Plani urbanistik garanton gjelbërimin e pesëfishuar vetëm brenda vijës së verdhë”
Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi dje me shumicë votash 18 projektvendime të kryetarit të Bashkisë, Lulzim Basha të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Ndër to janë vendimet për aktualizimin e aktit normativ të qeverisë, për hipotekimin e 260 blloqeve banimi, nga i cili do të përfitojnë 50 mijë qytetarë.
Duke i propozuar këshillit bashkiak projektvendimet, Basha tha se ato janë të një rëndësie të veçantë me impakt kryesisht në rritjen e zhvillimit ekonomik dhe punësim për qytetarët e Tiranës.
Një tjetër vendim, tek i cili Basha u ndal ishte edhe reduktimi në masën 30 për qind të taksave për një sere kategorish biznesesh të vogla dhe të mesëm. Ky vendim sipas kreut të bashkisë, do ti japë një dinamikë zhvillimit ekonomik si dhe do të krijojë mundësinë për rritjen e punësimit. “Për të rritur shanset për punësim, çka sipas nesh kalon domosdoshmërisht nëpërmjet krijimit të një klime sa më të mirë për biznesin, dua të veçoj projekt-vendimin për reduktimin në masën 30 për qind të taksave për një seri sektorësh të artizanatit në qytet, të cilat përbëjnë kryesisht 528 kompani të biznesit të vogël dhe të mesëm”, u shpreh kryebashkiaku Basha.
Sipas tij, duke i numëruar një për një dhe duke i vendosur me emër këto kompani, nga njëra anë shmangim rrezikun e abuzivitetit apo të një diskrecioni jo pozitiv nga ana e administratës, por nga ana tjetër e lemë derën hapur, duke iu rikthyer këshillit, duke përfshirë edhe sektorë të tjerë që mund të identifikohen në të ardhmen.
Në lidhje me Aktin Normativ të Qeverisë, për hipotekimin e afro 260 blloqeve të banimit me përfitues të drejtpërdrejtë afro 50 mijë qytetarëve të Tiranës, Basha tha se është një proces i cili ka nisur dhe është shtrirë në disa prej kategorive problematike. Kategoria që do të përfitojë me miratimin e kësaj mase, përfaqëson edhe një prej kategorive më problematike, atë të ndërtimeve me leje, por të ekzekutuara me probleme, të cilat e kanë bërë të pamundur deri më sot pajisjen me leje shfrytëzimi që i hap rrugë pastaj pajisjes me tapitë, apo me dëshmitë hipotekore të kadastrës. Nëpërmjet Aktit Normativ, njësitë vendore kudo duke përfshirë Bashkinë e Tiranës pajisen me instrumentet e nevojshëm ligjorë për të çarë problematikën që kishte bllokuar deri tani këto lloj ndërtimesh.
Në këtë fushë, ka dy vendime të rëndësishme, ndërkohë që janë propozuar vendime sociale, tre prej tyre kanë të bëjnë me aspektin e strehimit dhe prekin tre fushat, sistemin e pikëzimit për banesat sociale në Shkozë, trajtimin e 179 familjeve me subvencion për interesat e kredisë në rolin e bashkisë si administratorë të kredive të buta për shtresat në nevojë dhe trajtimin e 8 familjeve me bonus strehimi, sipas kritereve të përcaktuara në ligj dhe materialet bashkangjitur për miratim. Po në fushën e zhvillimit ekonomik, Basha tha se është edhe një projekt-vendim për miratimin në parim të dhënies me qira të një objekti, aktualisht të vënë në dispozicion të një ndërmarrjeje ekonomike që punëson afro 1300 qytetarë, shumica të Tiranës.
Basha informoi edhe mbi projekt-vendimin 16, i cili parashikon ndryshimin e buxhetit, si rezultat i një hyrje më të madhe nga granti i qeverisë, rritje prej 15 për qind, por edhe si rezultat i korrektimit pozitiv të një shtese prej 3.5 miliardë lekësh të ardhura të Bashkisë së Tiranës, të pa reflektuara për shkak të vitit kalendarik, i cili nuk rakordon me vitin financiar. Pra, në vetvete bëhet fjalë për një shtesë prej afro 4.5 miliardë lekësh në buxhetin e Bashkisë së Tiranës të cilat janë të dedikuara 100 për qind për investime në territorin e qytetit.
Kryebashkiaku detajoi një propozim, bazuar në një kërkesë prej më shumë se një viti të Shoqatës së Shërbimit Taksi në qytetin e Tiranës, për ndryshimin e distancës së zonës fillestare, për mjetet e shërbimit taksi 4+1 (veturave), ku përmes saj shkurtohet distanca fillestare që paguhet me çmimin fiks, por në këmbim të së cilës, shoqata është e angazhuar të bëjë një formalizim të këtij sektori që pavarësisht prej rregullave në fuqi vazhdon të vuajë në një masë jo të vogël nga informaliteti.
Ai prezantoi një sërë vendimesh që nderojnë figura të caktuara qytetare, me kontribute të veçanta apo figura historike si: rivendosja e bustit të personalitetit të Rilindjes Kombëtare Jeronim De Rada, vepër e Odise Paskalit; të ish-deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, shkrimtarit, studiuesit, publicistit, z. Sabri Godo.
Gjatë debateve me anëtarë të këshillit Bashkiak, Basha iu përgjigj pretendimeve të opozitës për planin urbanistik. Sipas tij, ky plan mbron Tiranën nga betonizimi dhe i jep përparësi hapësirave të gjelbra.