Çekia, Polonia dhe Hungaria, përkujtojnë 10 vjetorin e aderimit në NATO

“Shqipëria dhe Kroacia do të jenë anëtare me të drejta të plota të NATO-s në samitin e muajit Prill”. Kështu ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jap de Hop Skefer në Budapest gjatë konferencës së mbajtur me rastin e 10-vjetorit të hyrjes së Hungarisë dhe Polonisë në NATO. “Dera do të mbetet gjithmonë e hapur për anëtarët e ardhshëm”, njoftoi ai gjatë një konference për festimin e përvjetorit të dhjetë të pranimit të Hungarisë, Republikës Çeke dhe Polonisë. “Zgjerimi i NATO-s mbetet një nga strategjitë kryesore për konsolidimin e Evropës”, nënvizoi ai. “Në pak javë, në 60-vjetorin e krijimit të NATO-s, dy shtete të reja do të jenë pjesë e Aleancës. Them dy, sepse është shpresa ime e madhe që Shqipëria dhe Kroacia do të jenë anëtare me të drejta të plota në këtë moment të shënuar për Aleancën. E kemi bërë të qartë herë pas here dhe nuk kemi dyshim se dyert e Aleancës janë të hapura për të gjitha vendet që synojnë integrimin”, u shpreh Skefer. Gjatë konferencës “10 vjet në NATO”, Skefer tha se blloku ushtarak përballet me çështje të rëndësishme si misioni në Afganistan e marrëdhëniet me Rusinë.
Deklarata e Skefer u mbështet edhe nga kryeministri i Hungarisë, Gurksani Ferenc, i cili tha se vendi i tij do të mbështesë zgjerimin e NATO-s në vendet e Ballkanit. Gjatë samitit të saj të ardhshëm më 3 dhe 4 prill në Strasburg (Francë) dhe Kehl (Gjermani), NATO do të presë Kroacinë dhe Shqipërinë si anëtare të reja të Aleancës. Ukraina dhe Gjeorgjia kërkojnë gjithashtu të integrohen, por kërkesa e tyre u refuzua gjatë samitit të mëparshëm, në Bukuresht në pranverën e vitit 2008. Ndërkohë, me rastin e 10 vjetorit të anëtarësimit në NATO të Republikës Çeke, Hungarisë dhe Polonisë është organizuar dje në ambientet e Ambasadës Çeke një Konferencë e Përbashkët për shtyp e tre ambasadorëve të këtyre të vende të akredituara në Shqipëri, përkatësisht të ambasadores çeke Fialkova, ambasadores të Polonisë Tatarzynska dhe ambasadorit hungarez Molnari.
Në deklaratën e përbashkët të tre ambasadorëve të këtyre vendeve thuhet se, “12 Marsi 1999 ishte një ditë e rëndësishme jo vetëm për historinë e tre shteteve, por edhe për vetë aleancën. Vendimi i NATO-s për t’i zgjedhur këto tre shtete për zgjerimin erdhi pas disa dekadash pas Luftës së Ftohtë, dhe ishte një mesazh i NATO-s, për të gjithë botën, pasi riforcoi angazhimin dhe provoi aftësitë për të mbrojtur dhe promovuar lirinë demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Me aksesin në NATO vendet tona u rikthyen në një komunitet demokratik pas një periudhe të gjatë të regjimit diktatorial”, theksuan ambasadorët e këtyre tri vendeve. Më tej në deklaratë citohet se “ne do të mbështesim Shqipërinë në vazhdimin e reformave për të forcuar demokracinë, si një tregues kyç për integrimin në strukturën euroatlantike”. I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe Glori Husi, Koordinator Kombëtar për Çështjet në NATO , i cili pasi përcolli përshëndetjet e kryeministrit Berisha në këtë ditë të shënuar për këto tre vende tha se “për Shqipërinë, anëtarësimi në NATO dhe integrimi në BE kanë përbërë përparësitë kryesore të politikës së saj të jashtme e të sigurisë, gjatë dy dekadave të fundit, mbështetur nga të gjitha forcat politike dhe mbarë opinioni publik”.
...