Me 3 makina duke transportuar emigrantë të paligjshëm, arrestohen në Korçë 4 të rinj nga Kosova

Finalizimi i operacionit “Midnight 8” çoi në arrestimin e 4 të rinjve nga Kosova pasi në bashkëpunim me njeri-tjetrin po tentonin të transportonin kundrejt pagesës, për të kaluar kufirin drejt Kosovës dhe më pas drejt vendeve të BE-së, 5 emigrantë të paligjshëm.
Ata u kapën në aksin rrugor “Maliq-Gramsh”, pranë vendit të quajtur “Tyrbja e Gocës”,, ku po lëviznin me tre automjete tip “Volkswagen”, “Audi Q7” dhe “Audi A8”. Në pranga ranë A. P., 27 vjeç; E. S., 22 vjeçe; U. K., 27 vjeç; A. S., 26 vjeç, banues në Prishtinë, Kosovë.
“Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, për disa shtetas që do të transportonin kundrejt pagesës, emigrantë të paligjshëm, për të kaluar ilegalisht kufirin, organizuan veprimet dhe në aksin rrugor “Maliq-Gramsh”, pranë vendit të quajtur “Tyrbja e Gocës”, Maliq, bënë të mundur lokalizimin e tre automjeteve, tip “Volksëagen”, “Audi Q7” dhe “Audi A8”, me të cilët po qarkullonin shtetasit e lartpërmendur”, thuhet në njoftim e policisë.
Policia sekuestroi në cilësinë e provës 3 automjetet, 4 aparate celulare si edhe shuma monetare ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/