E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më 4 mars, diskutohet për veriun

Kuvendi i Kosovës, në seancën e radhës më 4 mars, do të debatojë lidhur me zbatimin e Kushtetutës dhe praninë e strukturave të pushtetit të Serbisë në Kosovë.

Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme të përbashkët me shefat e grupeve parlamentare. Sikur transmeton Zyra e Informacionit e Kuvendit, Kryesia e ka shqyrtuar kërkesën e Grupit Parlamentar të LDD-së për debat parlamentar lidhur me zbatimin e Kushtetutës dhe praninë e strukturave të pushtetit të Serbisë në Kosovë.

Një ditë më herët, kryeparlamentari Krasniqi ka zhvilluar një takim me shefat e grupeve parlamentare, për këtë çështje. “Pas diskutimit të gjerë në këtë temë, Kryesia ka vendosur që seanca e veçantë plenare e Kuvendit për debat parlamentar lidhur me zbatimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe praninë e strukturave të pushtetit të Serbisë në Kosovë, të mbahet më 4 mars të këtij viti”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Duke e shqyrtuar kërkesën e Komisionit të Pavarur për Media për emërimin e një anëtari në Këshillin e Komisionit të Pavarur për Media, Kryesia ka kërkuar nga grupet parlamentare që deri më 3 mars të propozojnë nga një kandidat për anëtar të KKPM-së, meqenëse kandidatit të mëparshëm i ka kaluar mandati.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›