Më 8 shkurt Apeli vendos për masën ndaj Ndrea Prendit
Gjykata e Apelit do të vendosë më 8 shkurt nëse do të ndryshojë masën e sigurisë ndaj ish-komandandit të Gardës, Ndrea Prendi, që akuzohet për vrasjen e Faik Myrtajt më 21 janar.
Prokuroria kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë nga arrest shtëpie, në arrest me burg për tre të akuzuarit në lidhje me ngjarjet e 21 janarit, por Gjykata e Tiranës vendosi të lërë në fuqi vendimin e mëparshëm, duke i lënë tre të akuzuarit në arrest shtëpie.
Trupi gjykues do të kryesohet nga Artan Broci, ndërsa anëtarë do të jenë Gjin Gjoni dhe Edmond Gega.
Gjatë ditës së sotme, Gjykata e Tiranës rrëzoi apelin e prokurorisë që të ndryshonte masën e sigurisë ndaj Prendit, për ta dërguar atë në burg, duke thënë se kjo kërkesë po shqyrtohet nga ana e Gjykatës së Apelit.
Ndërkohë, kërkesa për rishikimin e masës së sigurisë për Armando Kasajn, specialist i IT-së në kryeministri, do të shqyrtohet nga Gjykata e Apelit në 10 shkurt.